Shoqata Çamëria: Ja 4 çështjet që duhet të trajtohen me vizitën e ministrit të Jashtëm grek
Shoqata Çamëria ka vlerësuar si të rëndëssihme vizitën e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias në lidhej me raportet mes dy vendeve dhe çuarjen përpara të çështjeve të hapura.Në një njoftim për mediat Shoqata "Çamëria" gjykon se takimet dypalëshe duhet të jenë gjithpërfshirëse. Sipas Shoqatës “Çamëria”; Heqja e ligjit të luftës, trajtimi i çështjes Çame, zgjidhja e çështjes së ujërave detare, dhe njohja e pavarësisë së Kosovës“Hapi i parë në shtensionimin e marrëdhënieve do të ishte abrogimi zyrtar i ligjit të luftës, që Greqia e mban ende në fuqi, pavarësisht se vendet tona janë anëtare të NATO-s dhe mes dy vendeve është nënshkruar një traktat miqësie. Prania e këtij ligji absurd e bën të pasinqertë trajtimin e çdo çështjeje mes dy vendeve. Trajtimi i çështjes çame, si një çështje që kërkon zgjidhje të drejtë dhe dinjitoze është pa dyshim elementi më i rëndësishëm i dosjes diplomatike shqiptaro-greke. Greqia vjen nga një betejë në Eurogrup, të cilën e ka cilësuar si betejë për dinjitet dhe drejtësi. Bazuar pikërisht në të njëjtën frymë, qeveria shqiptare duhet të kërkojë drejtësinë dhe dinjitetin për 300.000 shtetas të saj, ish shtetas grek, për çështjen e pronave, të drejtën e rikthimit, të drejtën e shtetësisë dhe të drejtat e pakicave, që së bashku përbëjnë çështjen çame. E gjitha kjo mund të nisë nga një ndjesë, që çdo komb i madh ka thënë, për padrejtësitë që ka kryer. Ndjesa ndaj shqiptarëve të Çamërisë është e vonuar, por tani është momenti për t'u thënë. Zgjidhja e çështjes së ujrave, në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është një tjetër pikë e rëndësishme e dosjes diplomatike. Ajo duhet të zgjidhet me marrëveshje dhe në bazë të parimit të ndarjes së drejtë të ujrave, siç ka parashikuar Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, njohja e pavarësisë së Kosovës, ndalimi i financimit të strukturave që tentojnë asimilimin e shqiptarëve në jug të vendit, kryesisht të të afërmve të emigrantëve në Greqi, do të përbënin një hap të rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.”Shoqata "Çamëria" gjykon se deklaratat e deritanishme të Ministrit të Jashtëm Grek mbi çështjen çame kanë qenë të papranueshme e aspak dinjitoze.