Tusk sfidon Merkelin: Ristrukturim i borxhit të Greqisë!

Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, ka bërë një ndryshim radikal të qendrimit të tij të rreptë ndaj Greqisë, duke bërë thirrje për një ristrukturim të borxhit helen për të shmangur falimentimin.Një qendrim i tillë duket një sfidë e hapur ndaj Gjermanisë, kreditorit më të madh të Athinës, që deri më tani ka hedhur poshtë çdo mundësi për të lehtësuar në sasi dhe kohë barrën e detyrimeve që Greqia duhet të shlyejë."Propozimi realist i Greqisë duhet të ketë si përgjigje një propozim po aq realist nga ana e kreditorëve për sa i përket qendrueshmërisë së borxhit. Vetëm atëherë mund të themi se kemi një marrëveshje nga e cila përfitojnë të gjitha palët"Sipas raportimeve nga e përditëshmja "Kathimerini", plani që do të propozojë Tsipras do të përfshijë kërkesën për një tjetër borxh prej 12 miliardë eurosh, 5 më shumë se sa ishte parashikuar fillimisht, me synimin e vetëm shmangien e kthimit të vendit në reçesion. Debati mbi krizën greke duket se ka kaluar edhe Atlantikut, pasi ministri gjerman i financave, Volfgang Shojble, mësohet t'i ketë thënë sekretarit amerikan të thesarit, Xhek Lju, se eurozona mund të pranojë në gjirin e saj Porto Rikon, nëse Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të pranojnë fusë Greqinë në zonën e dollarit.Ndërkaq qeveria greke ka shtyrë deri të hënën mbylljen e bankave dhe tërheqjen e shumës së limituar prej 60 eruosh në ditë, duke zgjatur kështu ditët e agonisë dhe radhëve të gjata në degët e bankave në të gjithë vendin. Megjithatë, autoritetet deklarojnë se nuk ka krizë për ushqim apo ilaçe, si dhe çmimet janë të qendrueshme dhe të paprekura nga ngecja e negociatave.Sidoqoftë, deri të dielën, nëse nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare, zyrtarët e Bashkimit Europian kanë bërë të ditur se liderët e 28 vendeve të unionit do të diskutojnë për masat që do të merren për kufizimin e dëmeve nga kolapsi grek, përfshi edhe ndihmë humanitare, vendosje të kontrollit të kufijve dhe masave për të kufizuar përshkallëzimin e krizës greke në vendet fqinje, pavarësisht këmbënguljes së Fondit Monetar Ndërkombëtar që një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.