Kriza në Greqi, Harito: Pasojë edhe e një administrate të pakonsoliduar
“Duhet thënë se ka edhe pengesa të tjera për kapërcimin e të cilave duhet punuar. Si psh krijimi apo ndërtimi i një administrate efiçente publike apo lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.Ky shqetësim i ngritur dje nga kancelarja gjermane Angela Merkel në forumin e 8 ekonomik, që natyrisht nuk ishte i rastësishëm ka zbritur sot në një tryezë konkrete diskutimi mbi projektin e BE për mbështetjen e reformës në shërbimin civil.Ministrja e Administratës Publike, Milena Harito, pranoi defekte serioze në formimin profesional të administratës.Interesit të shtuar të Ora News mbi mangësitë publike të administratës, Ministrja iu përgjigj duke thënë se ky problem nuk është vetëm shqiptar.Por për delegacionin e BE në Tiranë i investuar në reformën e administratës publike nuk mjaftojnë vetëm ligjet, por edhe zbatimi i tyre.“Reforma e administratës është e rëndësishme për Shqipërinë që të avancojë proçeset integruese. Shqipëria ka bërë progres por nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve të mira, por edhe zbatimi me rigorizitet”.Edhe Ambasadori italian, Massimo Gaiani, sheh si mjaft të rëndësishme modernizimin e administratës publike, si një hap të madh në luftën ndaj korrupsionit.Nuk mjafton vetëm vullneti politikHarito: “Pa një administratë publike të qëndrueshme, të gjithë e dimë që vullneti politik nuk është i mjaftueshëm. Vullneti politik është ai që i shtyn gjërat përpara, por administrata publike është ajo që i bën gjërat të rezistojnë në kohë. Ndoshta një pjesë e problemeve të rajonit dhe aktualiteti që shohim në fqinjin tonë vinë edhe nga fakti që administratat tona nuk janë aq të konsoliduara sa duhet të ishin”.Sherbimi Civil dhe reformatHarito tha se janë marrë një sërë masash, sidomos në shërbimin civil. Për këtë ajo ju referua shifrave, ku tha se aktualisht janë 16 mijë nëpunës civil, nga 3000 të tillë që kishin këtë status në 2013.Harito: “Kemi marrë një sërë hapash të rëndësishme në radhë të parë në reformën e shërbimit civil. Shërbimi Civil në Shqipëri deri në 2013 përbëhej nga 3000 vetë, nga 90 mijë që ka administrata publike. Me reformën që filluam ta implemetojmë që në fillim të 2014, numri i atyre që tashmë janë nëpunës civil në administratën shqiptare arrin në 16 mijë. Puna ka qenë shumë e madhe për të integruar gjithë këta persona.Në pjesën dërmuese të tyre personat që kanë qenë në pozicionet e tyre kanë integruar shërbimin civil, janë shumë pak ata që nuk plotësonin kushtet dhe për të cilët janë marrë masa të veçanta për t’iu lënë dhe njëfarë kohe për të integruar shërbimin civil”.Transparence ne rekrutimetLidhur me rekrutimet, Harito tha se mekanizmat e rinj e kanë bërë kë proces më transparent, por që ka hasur në mjaft rezistencë nga ana e vetë institucioneve.Harito: “Elementi i dytë shumë i rëndësishëm i reformës është pjesa e rekrutimeve. Kemi ndërtuar një mekanizëm rekrutime që tashmë është i gjithëpranuar, nuk lejon vend për abuzime siç ndodhte më parë. Pra kishim përpara një shërbim civil, por drejtuesit e institucioneve përzgjidhnin mes 3 kandidatësh dhe subjektiviteti në rastin më të mirë, por shpesh herë politizimi ose arsye të tjera prevalonin, ishte shumë e vështirë ta kontrolloje. Me mekanizimin e ri, procedurat janë transparente dhe online, nuk ka më pirgje letrash që humbin zyrave. Renditja e kandidatëve përcakton prej tyre se ku ata do të shkojnë të punojnë dhe nuk janë më drejtuesit e institucioneve ata që përzgjedhin një kandidat apo një tjetër. Ka larguar çdo mundësi që drejtuesit e institucioneve të ndërhyjnë në përzgjedhjen e kandidatëve. Ka qenë reformë shumë e vështirë sepse ka të bëjë me ndryshim mentaliteti, ka pasur shumë rezistencë nga ana e institucioneve”.Administrata publikeHarito vuri theksin edhe perfeksionimi i administratës publike, që siç tha jo rrallë herë është bërë pengesë për ekonominë dhe biznesin në vend.Harito: “Nuk ka zgjidhje tjetër përveç mirëmenaxhimit në këtë situatë. Nëse punonjësit nuk kanë detyra të qarta, një plan veprimi të qartë për detyra që u ngarkohen dhe trajnimet përkatëse në mënyrë që të plotësojnë detyrat që kanë është e pamundur që administrata të funksionojë në mënyrë të plotë, korrekte dhe të jetë ajo që duhet të jetë në fakt, të jetë sistemi i qarkullimit të gjakut për ekonominë shqiptare. Të gjithë e dimë që një pjesë e madhe e pengesave që mund ti shkaktohen ekonomisë dhe biznesit vinë nga administrata publike për shkak të paaftësisë, herë pas here mungesës së dëshirës për punë, për shkak të korrupsionit në rastin më të keq. Të gjitha këto kërkojnë një menaxhim të mirë që përcaktohet nga këto rregulla të cilat vendosen nga Departamenti i Administratës Civile dhe implementohen prej tij.Ky binjakëzim do të na ndihmojë pikërisht në këtë drejtim”.Cilesia e sherbimeve publikeHarito foli dhe për reformën në shërbimet publike, duke pranuar se shërbimet që marrin sot qytetarët në zyrat e shtetit nuk janë në cilësinë e duhur.Harito: “Shërbimet publike që ofrohen sot në dyert e shtetit nuk janë në cilësinë e duhur, qytetarëve u duhet shpesh herë të sorollatren nga një derë në tjetrën, janë të paqartë për mënyrën sesi duhet të marrin shërbimin. Në bashkëpunim me parnerët europiane dhe BB kemi filluar prej një viti një reformë të madhe të shërbimeve publike ku të gjithë shërbimet e shtetit do ofrohen gradualisht në mënyrë të integruar në qendra të përbashkëta”.