“Drejtësia”, Halimi: Tërhiquni nga arroganca; Ruçi: Mirëpresim kontributin

Vendimi i opozitës për t’i dhënë fund bojkotimit të komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi shkaktoi debate në fillim të punimeve të seancës së sotme të Kuvendit.Grupi parlamentar demokrat përmes deputetit Eduard Halimi kërkuan të përfshihet në rend dite propozimi i PD-PR për ndryshimin e vendimit për ngritjen e komisionit të posaçëm, duke propozuar emrat e anëtarëve.Halimi: “Në këtë seancë duhet të futet në rend dite edhe ndryshimi i vendimit përkatës të Komisionit të Posaçëm në mënyrë që opozita të bëhet pjesë e atij Komisioni”.Shqetësimi i Halimit ka marrë përgjigjen e kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi,  i cili dhe pse vlerësoi vullnetin e opozitës për tu bërë pjesë e Komisionit të posaçëm tha se rregullat nuk mund te ndryshojnë në mes të lojës.Ruçi: “Komisioni përkatës është drejt përfundimit të mjaft problemeve që përmban reforma e drejtësisë. Ndryshimi i rregullave të lojës në fund të lojës nuk mund të bëhet. Së dyti, propozimi i bërë flet që kjo reformë të mos konkretizohet, por të bllokohet. Nëqoftëse është fjala për të plotësuar vendet vakante sipas vendimit në fuqi të parlamentit jemi plotësisht dakord të futet në axhendën e parlamentit, të miratojmë emrat dhe të vazhdojë puna”.Marrë shkas nga kjo, Halimi akuzoi mazhorancën se po vepron në mënyrë të njëanshme, duke shpërfillur dhe rekomandimet e faktorit ndërkombëtar. Akuza u hodh poshtë nga Ruçi, sipas të cilit i vetmi problem në vijimësinë e reformës në drejtësi ka qenë mungesa e opozitës në Komision.Halimi:  “Unë nuk e di nëse zoti. Ruçi e ka këtë qëndrim të vetin të konsultuar apo personal. Se gjatë këtyre muajve ka pasur takime intensive me partnerët ndërkombëtarë lidhur me dy kërkesat e opozitës për pjesmarrje në reformën në drejtësi, të cilat nuk kanë të bëjnë as me bllokimin e reformës, as me ushtrim e ndonjë të drejtë vetoje siç përpiqet PS apo dhe kryetari i grupit të PS për ta shpallur si alibi, por kanë të bëjnë me kërkesën e BE për një reformë konsensuale dhe një bashkëpunim gjithëpërfshirës në hartimin e reformës në drejtësi që deri më tani nuk është bërë asgjë”.Ruçi: “Gjithçka që është bërë në atë komision është bërë në mënyrë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse, të vetmit që i mungojnë kësaj pune të bërë jeni vetëm ju. Mirë se të vini në vendin tuaj, në detyrën tuaj, ju njeni jashtë kohe dhe jashtë vendi dhe jashtë funksionit që keni”.Halimi: “Kjo deklaratë e kryetarit të grupit të PS është krejt e papritur në terrenin politik shqiptar. Po përgenjështroni partnerët tanë ndërkombëtarë. Të jeni të qartë se ju për të bërë reformë në drejtësi, për të konsoliduar institucione, nuk keni ndërmend, se keni bërë. Ke këtu para një viti, këtu kemi qenë, e kemi bërë para një viti këtë debat”.Në debatin mes palëve ndërhyri kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili sugjeroi për më shumë kohë në diskutimin  kësaj çështje.Meta: “Sugjeroj të mos e vazhdojmë këtë debat, se ndoshta do të duhet kohë për ta biseduar më tej këtë problem mes  kryetarëve të grupeve. Ndoshta mund të na duhet të mbledhim dhe Konferencën e Kryetarëve, pasi nga ana proceduriale kemi të bëjmë me një ndryshim të vendimit të Kuvendit. Le t’i lëmë vetes më shumë kohë për ta shqyrtuar çështjen”, u shpreh Meta.Seanca e sotme e Kuvendit parashikon shqyrtimin e disa projektligjeve dhe marrëveshjeve që lidhen me projekte zhvillimore.