Gjergj Koja: Koalicioni opozitar sot është shumë dinamik

I ftuari në intervistën e mbrëmjes në RTV “Ora News, Gjergj Koja, kreu i Partisë Socialiste të Moderuar, ka folur për takimin e nesërm të aleatëve të majtë për zgjedhjet e Qershorit.Në lidhje me këtë takim Koja u shpreh: “Nesër do të jetë një moment i rëndësishëm për të gjitha partitë opozitare për koalicionin e majtë. Bëhet fjalë për një marrëveshje të diskutuar në parim dhe nesër do të diskutohet për platformën me të cilën ky grupim politik i partive opozitare do të garojë në zgjedhjet e 23 Qershorit. Gjithë shqiptarët  po ndeshen me dy praktika me të cilat po i afrohen dy koalicionet e mëdha zgjedhjeve të 23 Qershorit. Njëra është praktika për herë të parë e opozitës e cila po hyn me një program krejt ndryshe dhe të detajuar elektoral, një program i cili ka ngjallur mjaft debate dhe e ka futur në panik mazhorancën. Praktika tjetër është ajo e shiritave dhe e inagurimeve, e atyre që nuk kanë asnjë program por po kopjojnë programin e Partisë Socialiste. Ne hymë në këtë sfidë kaq të rëndësishme dhe të vështirë për të realizuar maksimilizimin e votës në këtë koalicion. Kjo bëhet duke patur një numër sa më të madh partishë në këtë koalicion. Maksimilizimi i votës do të na bëjë që ne mos ti humbasim më mandatet që humbëm aksidentalisht në 2009-ën. Duhet që të sigurojmë frymën e solidaritetit dhe të mbështetjes me njëri tjetrin. Koalicioni opozitar sot është shumë dinamik.”Koja u shpreh gjithashtu edhe në lidhje me çështjen e kontestimit të zgjedhjeve duke thënë: “Zgjedhjet në Shqipëri kanë qënë të kontestuara kur është prekur vota dhe nuk është garantuar demokracia. Nëse vota e maksimalizuar në koalicionin e majtë do të numërohet ashtu siç do të hidhet dhe do të ruhet, numri i mandateve do të jetë mbi 73-74 për partitë e koalicionit të majtë. Nëse nuk do të preket vota askush nuk mund ti kontestojë zgjedhjet. Të shprehesh me optimizëm për një fitore të padiskutueshme nuk e tejkalon cakun e një pune të madhe drejt euforisë. Nuk është eufori të dalësh me një program të plotë dhe të detajuar.Opozita ka një mision historik për ta kthyer Shqipërinë në rrugën e një zhvillimi normal.”