Berisha në Paskuqan: Investime në arsim për të rritur punësimin
Kryeministri Berisha ka premtuar sot investime më të mëdha në arsim dhe rritje të rrogave të mësuesve në 4 vitet e ardhshme.Ndërsa ka marrë pjesë në inaugurimin e gjimnazit, "Isa Boletini" në komunën Paskuqan, të Tiranës, kryeministri Berisha theksoi se investimet në arsim do të bëjnë të mundur rritjen e punësimit."Do bëjmë gjithçka që Shqipëria të ecë me shpejtësi drejt përqindjeve më të larta të atyre që do kenë mbaruar shkollën e mesme dhe të lartë, do të bëjmë gjithçka që të ecim të sigurtë drejt një punësimi masiv të qytetarëve shqiptar. Ne kemi bindjen se arsimi do të mbetet leva më kryesore në punësimin e këtij vendi. Vetëm një shoqëri e shkolluar do mund të marrë investime të vendit dhe të huaja më të mëdha dhe mund të përshtatet kërkesave të tregut të punës, do mund të krijojë vlera më të mëdha në ekonominë e vendit sesa çdo shoqëri tjetër” tha Berisha.Kryeministri ka theksuar se vendi gjatë këtyre viteve ka bërë përpjekje të mëdha por shtoi se gjatë 4 viteve të ardhshme do të ketë një shndërrim rrënjësor të arsimit."Arritjet e deritanishme janë shumë inkurajuese por një rrugë jo të thjeshtë kemi përpara. Investimet që do të bëjmë në 4 vitet e ardhshme do të jenë arsimin e përgjithshëm, arsimin profesional dhe atë universitar. Ne do të bëjmë gjithçka që ata që mbarojnë shkollat të kenë kualifikime dhe të të paguhen më mirë për punën që do të bëjnë. Në krye të 4 viteve rrogat e mësuesve do të jenë 700 dollarë. Ne do ti rrisim ato dhe kemi në axhendën tonë përparësin më madhore mësuesit sepse kemi bindjen e thellë se çdo qindarkë e investuar në arsim, për përgatitjen e mësuesve është një investim i sigurtë për të ardhmen tonë. Ne jemi të vendosur që në 4 vitet e ardhshëm në çdo klasë të ketë internet. Jemi të vendosur që çdo shkollë të ketë laboratoret më moderne dhe të rrisim numrin e nxënësve në arsimin profesional, të mbajmë nivelet më të larta të ndjekjes së shkollave të mesme dhe shkollave të larta” shtoi Berisha.Kryeministri Berisha garantoi banorët e Paskuqanit se në 4 vitet që do të vijnë do të ketë investime të tjera në këtë zonë për ta kthyer atë në prej zonave më të zhvilluara të vendit."Garatoj se investime të tjera të mëdha do të jenë së shpejti në komunën tuaj. Ne kemi ndërtuar 21 km rrugë, 4 ujësjellësa, 3 qëndra shëndëtësore por përsëri investime të tjera do të bëjmë që Paskuqani të shndërrohet në një nga zonat më të zhvilluara të vendit” përfundoi kryeministri.