Fushata zgjedhore në Maqedoni, shtohen tonet nacionaliste
Në Maqedoni, fushata zgjedhore po zhvillohet me tone nacionaliste. Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski në mitingjet në Strugë dhe Kërçovë ka bërë thirrje për mobilizimin e votuesve maqedonas që këto dy komuna të fitohen nga kandidatët maqedonas, madje ai ka bërë thirrje për shtimin e lindjeve tek maqedonasit e këtyre zonave.Por në vazhdimin e fushatës nga ana tjetër lideri i BDI Ali Ahmeti i ka kërkuar kryemistrit të Maqedonisë të jetë më i vëmendshëm sa i takon deklaratave të tij."Funksionarët e lartë të shtetit dhe politikanët mbajnë përgjegjësi të madhe për atë që flasin para qytetarëve gjatë kohës së zgjedhjeve. Në fushatë zgjedhore politikanët nuk duhet të flasin çfarë iu bie ndër mend. Ne angazhohemi që në vendin tonë të hapet perspektiv për të gjithë qytetarët dhe do të punojmë për to", tha lideri I BDI-së Ali Ahmeti.Ndërkohë analistët thonë se me retorikën nacionaliste të përdoruar në fushatë, si nga kryeministri apo nga përfaqësues të tjerë të partive politike, shkelet vlera dhe qëllimet e Marrëveshjes së Ohrit. Ata theksojnë se kjo retorikë paraqet papërgjegjësi të politikanëve të cilët nuk marrin parasysh aspektin e sigurisë dhe efektet nga ato çfarë mund të sjellë kjo armiqësi që mund ta kthejë Maqedoninë edhe në vitin 2001.