Kosova dhe Serbia drejt marrëveshjes për veriun
Pas takimit mes shefes për politike të jashtme në BE Catherin Ashton, presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç dhe kryeministrin Ivica Daciç duket se shumë shpejt do të ketë një marrëveshje të rëndësishme mes Kosovës dhe Serbisë.Ashton e cila ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, tha se me zyrtarët serb është diskutuar përparimi i deritashëm në bisedime, në veçanti mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe nevojën për të diskutuar çështjet e hapura, posaçërisht veriun e Kosovës, në dritën e takimit të radhës që mbahet më 20 mars."Në takimin e sotëm nënvizova rëndësinë e arritjes së marrëveshjeve mbi çështjet e hapura ndërmjet të dyja palëve sa më parë që është e mundur", thuhet në komunikatën të Ashton.Presidenti serb Tomislav Nikoliç, u tha gazetarëve se Prishtina ka lëshuar pe mbi përgjegjësitë e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë , ndërsa tha se marrëveshja me Prishtinën mund të nënshkruhet në ditët e ardhshme."Prishtina që deri tani këmbëngulte që zgjidhja të jetë në kuadër të ligjeve të saj, ka lëshuar pe. Marrëveshja do të nënshkruhet nëse jo më 20 mars atëherë më 28 mars", tha presidenti serb Tomislav Nikoliç, i cili në takim ishte bashkë me kryeministrin serb Ivica Daçiç dhe zëvendëskryeministrin Aleksandër Vuçiç.Prishtina zyrtare ka rënë dakort që në veriun e Kosovës të ketë një bashkësi të komunave por ka refuzuar çdo mundësi që ai të ketë pushtet ekzekutiv. Beogradi ngulë këmbë në krijimin e bashkësisë së komunave serbe që do të kishin fuqi ligjvënëse dhe ekzekutive.Të enjten shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catrherine Ashton pritet te qëndrojë në Prishtinë për të takuar udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës, përfshirë edhe opozitën. Vëzhguesit thonë se ajo do të ushtrojë trysni mbi të dyja palët për të përshpejtuar procesin e bisedimeve që do të vazhdojnë më 20 mars.