Zgjedhjet në Maqedoni, analistët: Kandidatët nën hijen e liderëve politik
Një javë pas fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale në Maqedoni analistët thonë se kandidatët për kryetarë komunash janë nën hijen e liderëve të partive. Mungojnë projektet për pushtetin lokal, mbizotërojnë tema kombëtare .Temat lokale janë të dorës së dytë në krahasim me çështjet politike, të cilat dominojnë në këtë fushatë. Opozita maqedonase në paraqitjet e para, para elektoratit jepte sqarime për arsyen e bojkotit të zgjedhjeve dhe përqëndrohej në qëndrimin se në Maqedoni duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.Koalicioni "Për Maqedoninë më të mirë," i udhëhequr nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, në mitingjet e tij hapësirë më të madhe u kushton aferave të opozitës e vetëm në radhë të dytë projekteve me të cilat kandidon në këtë fushatë.Qytetarët thonë se e kanë humbur besimin tek politikanët, veçanërisht kur bëhet fjalë për premtimet në fushatën parazgjedhore.Për analistët premtimet për realizimin e projekteve pa të dhëna konkrete mund të kenë efekt të kundërt." Temat politike kombëtare po dominojnë në agjendën lokale, kjo është rezultat i politizimit të skajshëm të ambientit në Maqedoni", shprehet Petar Arsovski.Zgjedhjet lokale 2013 janë tejet specifike për shkak se para fillimit të tyre opozita maqedonase kishte paralajmëruar bojkotimin e tyre.Analistët thonë se edhe krahas fushatës negative dhe premtimeve që vështirë se mund të realizohen, qytetarët votën e tyre do ta japin aty ku është shpresa për rritjen e mirqenies ekonomike.