Maqedoni, Gruevski nga Kërçova kërcënon shqiptarët
Kryeministri maqedonas dhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski i ka bërë thirrje maqedonasve që masivisht të dalin të votojnë për zgjedhjet lokale të 24 marsit në komunën e Kërçovës, për të treguar siç tha ai se e kujt është Kërçova.Gruevski duke përdorur si armë asimilimin e shqiptarëve tha se këto zgjedhje duhet të tregojnë se shqiptarët duhet të ishin shpërngulur nga Kërçova 30 vite më parë."Do ti sjellin me avionë dhe autobusë. Ne kësaj radhe duhet të tregojmë dhe të dalim të gjithë deri në fund dhe ti përgjigjemi se e kujt është Kërçova. Kjo komunë do ti mbetet njerëzve që jetojnë këtu.", theksoi Gruevski.Kryeministri maqedonas tha se nuk do të lejojë asnjë që Maqedoninë ta shndërroj në Shqipëri."Nuk do të lejojmë askënd që Maqedoninë ta bëj Shqipëri sepse kjo nuk është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit dhe nuk do të kalojë. Shqipëria Etnike në Maqedoni nuk do të mundet as tani por asnjëherë edhe në të ardhmen. Këtu do të jemi", theksoi Nikolla Gruevski.Në zgjedhjet lokale të 24 marsit, për herë të parë një kandidat shqiptar ka gjasa reale që ta fitojë garën zgjedhore në Kërçovë dhe të marrë drejtimin e këtij qyteti me mbi 60 mijë banorë, pasi të gjitha partitë shqiptare do të mbështesin kandidatin e vetëm Fatmir Dehari nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim.