Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, flet për vizitën e baroneshës Ashton

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të vizitës së Shefes për Punët e Jashtme të Bashkimit Europian, Kathrin Ashton, u shreh se Kosova vijon të mbaj të njëjtat qëndrime për normalizimin e gjendjes në veri të vendit.Sipas tij, proçesi është në fazën e rëndësishme përfundimtare të marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë."Për sa i përket Prishtinës, gjithçka është e qartë, qëndrimet tona do të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe standardeve evropiane. Përkushtimi  ynë maksimal është normalizimi i gjendjes në veri, fillimi i funksionimit të jetës normale, shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave të sigurisë, krijimi i kushteve dhe hapësira të përshtatshme për lëvizje të lirë të Republikës së Kosovës. Fillimi i funksionimit të sistemit të drejtësisë, sipas legjislacionit kosovar, në të njëjtën kohë krijimin e kushteve për organizimin e zgjedhjeve të lira edhe në katër komunat e tjera, kur do të organizohen zgjedhjet e përbashkëta në gjithë Kosovën në nivel lokal", ka theksuar kryeministri Thaçi.E ndërsa kreu i parë i ekzekutivit të Kosovës, vizitën e Baroneshës e quajti inkurajuese, e cila do të shtyjë implementimin e marrëveshjeve të arritura nga ky dialog."Vizita e Baroneshës Ashton është inkurajuese për Prishtinën dhe natyrisht do të jetë një vizitë që besoj se do të mund të lëviz gjërat përpara, që të ndodhin më herët. Por me theks të veçantë ne do të fokusohemi edhe në periudhat kohore të implementimit të gjitha marrëveshjeve ndërshtetërore dhe duhet të ndihmojnë mekanizmat implementues si KFOR-i dhe EULEX-I, si edhe institucionet e Kosovës me mbështetjen e plotë ndërkombëtare do të thotë Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, të ndodhin marrëveshjet edhe më herët", ka deklaruar ai.Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, arrin sonte në Prishtinë.Gjatë ditës së nesërme ajo do të takojë presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe përfaqësues të opozitës.Me të përfunduar këto takime, baronesha Ashton do të udhëtojë për në Beograd. Axhendën e diskutimeve pritet ta dominojë asociacioni i komunave serbe në Kosovë, për të cilin Prishtina dhe Beogradi kanë mospajtime.