Ashton në Kosovë: Marrëveshjet duhet të zbatohen

Shefja e politikës së jashtme në BE, Catherine Ashton, ka vazhduar misionin diplomatik në Prishtinë, në përpjekje për të siguruar marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë .Gjatë një takimi me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe me kryeministrin Hashim Thaçi, në një deklaratë me shkrim, Ashton thekson se është vlerësuar përparimi i deritashëm në dialog, përmes diskutimeve të hapura në një numër çështjesh."Kemi biseduar veçanërisht për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe për domosdoshmërinë e finalizimit të diskutimeve dhe arritjes së marrëveshjeve mbi çështjet e hapura, me theks të veçantë për veriun e Kosovës, sa më shpejt të jetë e mundshme",  shkruhet në deklaratën e Ashton, duke theksuar se do t'i raportojë Këshillit Evropian mbi marrëveshjet e arritura dhe zbatimin e tyre në muajin Prill.Shefja e Diplomacisë Evropiane ka zhvilluar një takim edhe me partitë politike në opozitë, duke mos përfshirë këtu Lëvizjen Vetëvendosje, e cila deri më tani  ka kundërshtuar ashpër proçesin e bisedimeve që po zhvillohet në Bruksel.Gjatë ditës Ashton ka takuar edhe udhëheqësit e lartë të Serbisë në Beograd.Në deklaratën e lëshuar nga zyra e Ashton thuhet se takimi i saj në Beograd të Enjten, ishte "i dobishëm dhe konstruktivë", dhe se qëllimi i Baroneshës ishte "për të përgatitur raundin e ardhshëm të dialogut Beograd-Prishtinë".Gjatë vizitës së saj në Beograd Ashton ashtu sikurse në Prishtinë është takuar me presidentin e Serbisë Tomislav Nikolic, Kryeministrin Ivica Daçiç dhe zëvendëskryeministrin Aleksandër Vuçiç,  ku kanë biseduar për dy orë.Presidenti serb Tomislav Nikoliç, pas një takimi të zyrtarëve të lartë të Serbisë me Përfaqësuesen Catherine Ashton,tha  se Beogradi dhe Prishtina nuk kanë qenë kurrë më afër një marrëveshjeje. Por presidenti serb theksoi se  ende nuk ka asnjë marrëveshje në lidhje me formimin e një shoqate të komunave serbe në Kosovë, ai shprehu besimin e plotë se do të arrihet një  zgjidhje dhe Rezoluta e parlamentit serb për Kosovën do të jetë e nderuar në këtë proçes."Unë mendoj se ne kurrë nuk kemi  qenë më afër një marrëveshje që do t'i japë popullit të Kosovës një shans për të jetuar më mirë, për t'u mbrojtur, për të zhvilluar dhe për të jetuar në paqe dhe serbëve një shans për të jetuar në një komunitet në të cilën ata do të rregullojnë  jetën e tyre dhe të qëndrojnë të lidhur me Serbinë, në mënyrë që ajo të mund ti ndihmojë ata, në rast vështirësie "tha presidenti.E ndërsa kryeministri serb, Ivica Daçiç nga ana tjetër tha se "nuk ishte një detyrë e thjeshtë për të thënë nëse ka pasur ndonjë përparim në dialogun në këtë moment". Daçiç sqaroi se Prishtina ka rënë dakord për formimin e një shoqate të komunave serbe, por nuk ka pasur marrëveshje për fuqitë e saj, për shkak se pala shqiptare beson se kompetencat duhet ti kenë komunat në vend dhe jo shoqata e tyre."Ka ende dallime. Nëse ka pasur një marrëveshje, Catherine Ashton me siguri do të ishte këtu për të njoftuar atë. Nuk ka asnjë marrëveshje, as nuk do të ketë deri sa propozimet  tona të konsiderohen në mënyrë thelbësore. "Ne duam një kompromis, por ne nuk do të pranojmë poshtërimin. Ky është mesazhi ynë përpara takimit të 20 Marsit," tha Daçiç.Ai gjithashtu hodhi poshtë spekulimet se ka pasur ndonjë diskutim në lidhje me "çdo lloj marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve" gjatë dialogut me Prishtinën. Kryeministri ka identifikuar tri çështje si "të një rëndësie kyçe": çfarë është shoqata e komunave, cilat janë kompetencat e saj, si dhe çështjet e policisë dhe gjyqësorit.Ndërkohë E përditshmja “Blic” bënë fjalë  se Beogradi dhe Prishtina kanë arritur një marrëveshje për komunitetin e komunave serbe, por sipas saj as serbët e as shqiptarët nuk do të jenë të kënaqur me këtë zgjidhje.