Athina hetime për shqiptarin nacionalist

Prokuroria e Athinës i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës që të nisi hetimet për një person shqiptar i cili dyshohet se ka fyer simbolet e shtetit grek në rrjetin social “Facebook”.E ndërsa sipas autoriteteve greke, shqiptari ka publikuar fotografi ku paraqiten persona me armë kallashnikov në duar.Autoritetet kanë kërkuar hetime në territorin shqiptar pasi ata zbuluan se profili në “Facebook”, është hapur në një kompani shpërndarëse interneti në Shqipëri. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e dërguar nga autoritetet e drejtësisë greke për të bërë verifikime dhe për të identifikuar personat në foto. Referuar vendimit, Gjykata urdhëron Prokurorinë e Tiranës të kryejë verifikimet e kërkuara nga pala greke.Në vendimin e Gjykatës citohet kërkesa e palës greke, sipas së cilës, Prokuroria e Athinës ka filluar hetime paraprake për "armëmbajtje pa leje në bashkëpunim" dhe "fyerje të simboleve të shtetit grek në bashkëpunim", vepra këto të parashikuara në Kodin Penal të Greqisë. Sipas hetuesve grek, profili i "shënjestruar" prej tyre në “Facebook”, zotërohet nga një prej meshkujve të shfaqur në foto.