Bisedimet me Kosovë, Nikoliç e Daçiç vizitë në Bruksel

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç, kryeministri serb Ivica Daciç dhe zëvendës-kryeministri i parë Aleksandar Vuçiç do të udhëtojë sot për në Bruksel, ku do të takohen me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, duke përfshirë këtu edhe shefen për politikë të jashtme në BE Catherine Ashton, e cila ndërmjetëson bisedimet Kosovë -Serbi.Sipas mediave serbe bisedimet me Ashton lidhen mbi pengesat në bisedimet që kanë të bëjnë me formimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar formimin e kësaj bashkësie por ka refuzuar mundësinë që ky organizim të ketë fuqi ekzekutive, ashtu siç synon Beogradi.Para nisjes, kryeministri serb Daçiç ka deklaruar se Serbia nuk do të pranojë asgjë më pak nga ajo që në Kosovë të formohet bashkësia e komunave serbe, e cila do të kishte pushtetin ekzekutiv.Zëvendës-kryeministri i parë serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se kreu i shtetit serb po udhëton në Bruksel për të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.Lidhur me këtë çështje dhe me procesin negociator në përgjithësi, baronesha Ashton pritet ta vizitojë Prishtinën më 14 Mars.Takimet e zonjës Ashton janë cilësuar si konsultime në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.Raundi i ardhshëm i këtij dialogu, në nivel kryeministrash, mbahet në Bruksel më 20 mars.