Shkodër, azilkërkuesit, Çako: Kontrolle të detajuar për personat që kalojnë kufirin

Shifrat alarmante të azilkërkuesve nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian kanë vënë në lëvizje strukturat e policisë së shtetit.  2 ditë pas emërimit të tij në krye të kupolës së policisë së shtetit, Haki Çako ka preferuar të nisë takimet me drejuesit e policisë në rrethe dhe ndalesën e parë e ka patur në qarqet Shkoder dhe Lezhë. Pa praninë e mediave mbrëmjen e 17 Prillit i shoqëruar nga zv/drejtorët e Përgjithshëm Altin Qato dhe Genc Merepeza, drejtori i policisë Çako kërkoi nga strukturat e qarkut Shkoder kujdes maksimal me qytetarët që i drejtohen zonës Shengen. Duke patur parasysh se numri i azilkërkuesve është i lartë nga qarku Shkoder, Çako ka kërkuar që efektivët të pyesin në detaje se kush i drejton dhe cilat janë arsyet e udhëtimit, të monitorojnë lëvizjet nëse ka patur hyrje – dalje të shpeshta dhe dokumentacionin që disponojnë, si dhe marrja në pyetje të jetë specifike ku për cdo rast të dyshuar të merren masa për të mos lejuar kalimin nga pikat kufitare. Duke ju referuar shifra të shoqatës së pajtimit të gjaqeve, vetëm mbi këtë argument ka 30 – 40 kërkesa në ditë për vertetim gjakmarrje që të përdoret më pas për përfitim azili në vendet e BE-së. Gjithashtu në këtë takim është folur për marrjen e masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, Masat për sezonin turistik e veror, masat për rritjen e parametrave të rendit e sigurisë dhe sigurisë rrugore, intensifikimi i goditjeve të rasteve të korrupsionit, të trafiqeve të paligjshme dhe zbulimi i ngjarjeve të vjetra. Drejtori Çako ka kërkuar nga efektivët vijimin e punës për identifikimin dhe goditjen e të gjitha rasteve të kultivimit të bimëve narkotike pasi Shkodra vijon të mbetet një nga qarqet problematike të hartës së përgjithshme të vendit. Vemendje e veçantë në prag të sezonit është kërkuar edhe në pikat kufitare për shkak të rritjes së hyrje – daljeve, ç’ka mund të shfrytëzohet për kalimin ilegal të lëndës narkotike, apo trafiqeve të tjera. Nuk ka mbetur jashtë vemendjes siguria në rrugë për shkak të njollave të zeza që ka qarku i Shkodres, specifikisht në segmentet Shkoder – Han i Hotit, ai në drejtim të Kryeqytetit, Velipojës dhe Muriqanit. Takime të tilla do vijojnë në të gjitha qarqet e vendit me qëllim motivimin e të gjitha strukturave të Policisë për më shumë angazhim, përkushtim e seriozitet, në zbatim të detyrave dhe permbushje te objektivave të përcaktuara në Stratëgjinë e Policisë së Shtetit.