Kisha katolike: Politika të mos kandidojë njerëz me rekorde kriminale
Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, me rastin e Zgjedhjeve Lokale ka publikuar një qarkore drejtuar të gjithë besimtarëve, por edhe partive politike.Në dokumentin me 4 pika, Kisha katolike kërkon fillimisht dekriminalizimin e politikës në tërësi duke apeluar që kandidatët në garë të jenë të pastër dhe të mos kenë të kaluar kriminale dhe korruptive.Sipas Konferencës Ipeshkvore, eksperienca ka treguar se zyrtarët e zgjedhur kanë blerë vota me para apo në forma të tjera, që kanë korruptuar të tjerë apo kanë favorizuar gjatë mandateve të tyre marrjen e fondeve publike në mënyrë të pandershme.Më pas në qarkore ngrihet shqetësimi për shitblerjen e votës. Prandaj Konferenca Ipeshkvnore shprehet se "kush shet votën, me çfarëdo çmimi, ka shitur dinjitetin, nderin e vet dhe të familjes. Kush e blen votën është i paskrupullt dhe poshtëron dinjitetin e të tjerëve dhe të vetin. Po ashtu edhe premtimi i votës nën be pasi janë paguar para, është një fyerje ndaj Zotit dhe kundër moralit të shëndoshë njerëzor e fetar",thekson qarkorja.Më tej Konferenca Ipeshkvore kërkon garantimin e një procesi të drejtë zgjedhjesh dhe ruajtjen e etikës së komunikimit verbal gjatë fushatës.Në fund të qarkores u bëhet thirrje subjekteve politike, të tregojnë kujdes ndaj të varfërve dhe ndaj rinisë që kanë nevojë për punë dhe jo ndihma sociale.Qarkorja e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë është përshëndetur nga PD, e cila në një deklaratë thotë se “shqetësimi që ngre Kisha Katolike dhe kërkesa e saj për dekriminalizimin, për dhënien fund praktikave të shitblerjes së votave, për gjetjen e kandidatëve me integritet, janë shqetësimet e drejta të mbarë shoqërisë”.