Menaxhimi i financave, KE: Reduktim shpenzimesh, luftë korrupsionit
Përfaqësuesi i Këshillit të Europës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të bëjë kujdes me shpenzimet dhe me menaxhimin e fondeve publike, pasi deri më tani ka humbur 100 milion euro. Në prezantimin e strategjisë për menaxhimin e financave publike për vitin 2014-2020, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka pranuar se duhet reformim i administratës tatimore dhe doganore.Tiranë- Shqipëria duhet të reduktojë shpenzimet,të eleminojë korrupsionin si dhe të menaxhojë më mirë fondet publike.Kjo ka qenë këshilla e Drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë për Zgjerimin në KE, Jean Eric Paquet gjatë diskutimit të strategjisë për menaxhimin e financave.Përfaqësuesi i KE-së ka deklaruar se vendi ynë ka humbur rreth 100 milion euro si pasojë e keqmenaxhimit të financave.Paquet: "Shqipëria duhet të ulë shpenzimet, të eleminojë korrupsionin dhe të menaxhojë më mirë të ardhurat si një mundësi për më të rritur mirqënien e qytetarëve. Reformat për mirmenaxhimin e fondeve janë të rëndësishme, pasi Shqipëria ka humur 100 milion euro vetëm si pasojë e keqmenaxhimit.Vëmendje i duhet kushtuar edhe rritjes së transparencës për prokurimet publike. Menaxhimi i duhur i financave është një ndër 5 prioritetet e vendosura për integrimin e vendit".Ministri Cani ka nënvizuar se aktualisht është e nevojshme që të reformohet administrata doganore dhe tatimore si dhe të luftohet ekonomia informale.Cani: " Në këtë strategji njëkohësisht janë parashikuar dhe përpjekjet dhe angazhimi për të forcuar menaxhimin e të ardhurave duke reformuar administratën fiskale, si atë tatimore si atë doganore, me qëllim që të rritet efektshmëria në mbledhjen e të ardhurave duke luftuar evazionin fiskal dhe ekonominë informale, të cilat asnjëherë ne nuk e kemi fshehur që për ekonominë shqiptare pak më shumë se dy dekadat e fundit ka qenë problem".Në bazë të strategjisë për mirmenaxhimin e financave synohet përmirësimi i përdorimit të burimeve publike, duke çuar në ofrim të shërbimeve më të mira për qytetarët, si dhe duke përmirësuar ritmet e zhvillimit ekonomik të vendit.