Netanjahu kritikon marrëveshjen me Iranin: I hap rrugë programit bërthamor
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka kritikuar marrëveshjen e arritur mes Iranit dhe fuqive të botës për programin bërthamor dhe ka kërkuar që në marrëveshjen përfundimtare të 30 qershorit të futet një klauzolë sipas të cilës Irani zotohet të njohë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar si shtet."Izraeli nuk do të pranojë kurrë një marrëveshje që i lejon zhvillimin e bombës bërthamore, një vendi i cili është betuar të na shkatërrojë. Brenda pak vitesh, Iranit do t'i jenë hequr sanksionet që pengojnë ndërtimin e bombës dhe njëkohësisht do të ndihmojnë ekonominë iraniane, e cila sponsorizon terrorizmin në Lindjen e Mesme".Pas takimit me kabinetin e sigurisë, Netanjahu pranoi se shqetësimet ia ka komunikuar edhe Presidentit amerikan, Barak Obama, i cili nga ana e tij e përshëndeti atë.Marrëdhëniet mes Obamës dhe Netanjahut janë përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit, ndërsa zhvilloheshin negociatat për marrëveshjen me Iranin, në pikën që Presidenti amerikan nuk pranoi ta priste në Shtëpinë e Bardhë kur Netanjahu vizitoi Uashingtonin për të mbajtur një fjalim në Kongres para fitimit të zgjedhjeve të përgjithshme.Izraeli ka kërcënuar edhe më parë se do të ndërmarrë veprime të njëanshme për të ndaluar Iranin në ndërtimin e bombës bërthamore, një paralajmërim se shumë shpejt mund të ketë edhe një sulm ajror ndaj centraleve bërthamore të Teheranit.Në këtë sipërmarrje, Izraeli me siguri që nuk do të ketë mbështetjen e Obamës, i cili ka përsëritur disa herë se bombardimi nuk do të sjellë ndërprerjen e programit bërthamor, por pas zgjedhjeve Presidenciale të vitit 2016, situata mund të ndryshojë në favor të Netanjahut në varësi të fituesit.