Rinovimi i hekurudhave, Haxhinasto: Problem çështja e stacionit të Tiranës

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ka inspektuar rinovimin e vagonëve për trenin e ri që do të operojë në linjën Durrës-Tiranë, në bazën e riparimit të vagonëve dhe lokomotivave në zonën e Plazhit. Haxhinasto kërkoi që të zgjidhet sa më shpejt çështja e stacionit të trenit në Tiranë, pasi sipas tij largimi drejt Kasharit ka reduktuar me 50% numrin e udhëtarëve.Nga Durrësi ku ka inspektuar ofiçinën ku po rinovohen vagonët për trenin e ri që do të operojë në linjën Durrës-Tiranë, Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, kërkoi që ti jepet sa më shpejt zgjidhje çështjes së stacionit të trenit në Tiranë.Sipas tij nxjerrja jashtë funksionit e këtij stacioni, ka ulur me 50% numrin e udhëtarëve të linjës Tiranë-Durrës.Haxhinasto:“Shumë e domosdoshme është t’i jepet zgjidhje sa më shpejt ndërtimit të stacionit të Tiranës. Heqja e stacionit të vjetër ka sjellë rënie drastike me  50% më pak numër pasagjerësh në këtë linjë kaq të rëndësishme, prandaj zgjidhje përfundimtare për këtë çështje është emergjentë. Stacioni i Trenit në Tiranë duhet të ekzistojë në çdo rrethanë edhe pse kemi konfirmuar që të ndërtohet stacioni multimodal i Kasharit. Ky është koncept modern në çdo kryeqytet, ku stacionet e trenit janë shumë afër qendrës”.Haxhinasto ka pranuar që hekurudhat janë një sfidë, pasi amortizimi dhe rrënimi ndër vite i këtij sektori kërkojnë shumë angazhim.Haxhinasto: “Megjithatë, përveç punës institucionale, po shyrtohen dhe kërkesat për dhënien me koncesion të disa linjave” tha ministri i Transportit.Ndërkohë ka ambicie për linjën Durrës-Shkup.Haxhinasto:“Siç e kemi komunikuar jemi duke u përpjekur maksimalisht që të miratojmë si pjesë të korridoreve evropiane lidhjen Durrës-Shkup, por sigurisht që nuk janë më pak të rëndësishme për ne edhe linjat e brendshme”.Vëmendja në transportin hekurudhur momentalisht është te fuqizimi i linjave të brendshme ku për rinovimin e një vagoni kostoja është 25 milion lekë të vjetra i siguruar nga të ardhurat e hekurudhës shqiptare.