Të mbijetuarit e sulmeve të Parisit padi ndaj mediave
Policia franceze ka nisur hetimet ndaj disa televizioneve vendase, pasi të mbijetuarit e pengmarrjes në supermarketin hebre 9 janarin e kaluar pretendojnë se mbulimi i detajuar me pamje i ngjarjes ka vënë në rrezik jetët e tyre.Gjashtë prej të mbijetuarve kanë ngritur padi ndaj disa mediave, por veçanërisht ndaj televizionit informativ BFM TV, i cili ka transmetuar pamje të drejtpërdrejta të aksionit të policisë.Atentatori, Ahmed Kulibali, i cili ishte zotuar për aleancë ndaj Shtetit Islamik, vrau katër pengje para se të qëllohej për vdekje nga policia, dy ditë pasi bashkëpunëtorët e tij, vëllezërit Kuashi, vranë 12 vetë në redaksinë e revistës satirike "Charlie Hebdo".Ndërkohë që vetë Kulibali, një ditë më parë kishte vrarë një oficer policie në rrugët e Parisit.Avokati që përfaqëson të mbijetuarit tha se pamjet e drejtpërdrejta nga supermarketi nuk zbatonin as masat më bazike të kujdesit dhe vunë në rrezik jetët e atyre që ishin ende brenda.Ai veçoi televizionin BFM TV, në të cilin u zbulua drejtpërdrejt se një grup personash, mes tyre edhe një trevjeçar dhe një foshnje një muajshe ishin fshehur në dhomën frigoriferike të supermarketit nga një prej punonjësve.Përfundimi i kësaj çështjeje mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në ligjin për mediat në Francë dhe Bashkimin Europian, ku deri më tani televizionet informative kanë arritur të fitojnë mjaft liri veprimi në raste të tilla, duke mundësuar mbulim me pamje të aksioneve të policisë.