Haga e kërkon, Sheshel: Nuk kam ndërmend të kthehem në burg

Ultranacionalisti serb,Vojisllav Sheshel, nuk ka ndërmend të kthehet në Hagë ku pritet të gjykohet për krime lufte.Pas urdhrit të lëshuar të hënën nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, lideri i radikalëve serbë konfirmoi deklaratat e bërë që ditën e parë që rishkeli në Serbi, duke pretenduar se urdhri i Hagës erdhi me kërkesë nga Beogradi."Siç e kam thënë dhe më parë, nuk kam ndërmend të kthehem me vullnet të lirë në burg. Nuk dua t'ja di për vendimin e tyre. Se çfarë do të ndodhë që tani e tutje është në dorë të regjimit serb, Nikoliçit dhe Vuçiçit. Por mendoj që kërkesa për rikthimin tim atje është bërë prej tyre, sepse e ndjejnë forcën e radikalëve serbë dhe ndihen të kërcënuar".Por edhe pse akuzon krerët e shtetit, reagimi zyrtar i Serbisë tregon se vendi është i pakënaqur me urdhrin e Hagës.Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, tha se vendimi ishte dashakeq dha skandaloz, që vë në rrezik stabilitetin e Serbisë dhe gjithë rajonit.Ndërsa Ministri i Punës, Aleksandër Vulin, tha se ai është dhënë për të rrëzuar qeverinë e Vuçiçit, pasi ai ishte i pari kryeministër i Serbisë që përmendi fjalën agresion gjatë fjalimit në ceremoninë e përkujtimit të sulmeve të NATO-s ndaj Serbisë, 16 vjet më parë.Gjykata e Hagës, aprovoi kërkesën e prokurorëve për të shfuqizuar lejen e përkohshme të Shesheljit, e cila iu dha për probleme shëndetësore nëntorin e kaluar.Dorëzimi i tij ndaj autoriteteve ndërkombëtare pritet të vërë në provë qeverinë e Vuçiç, që kërkon të afrohet më shumë me Perëndimin, por njëkohësisht mban qendrim radikal ndaj pavarësisë së Kosovës dhe ruan lidhje të forta diplomatike dhe kulturore me Rusinë.