Merkel ngre pyetjen: A do t'i plotësojë Greqia kërkesat që ne kemi?
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pranoi gjatë një vizite në Helsinki se Greqia ka pak dorë të lirë për reformat që do të duhet të vërë në zbatim, por në fund të fundit kriteri vendimtar për aprovimin e fondeve shtesë do të jetë kënaqja e partnerëve europianë."Pyetja është a mundet dhe a do të jetë në gjendje Greqia të plostëojë pritshmëritë që kemi?! Sigurisht që masat që ndërmerren mund të ndryshojnë, por në fund struktura duhet të mbetet e pandryshuar. Greqia momentalisht po zhvillon bisedime me institucionet dhe ne po presim përfundimet që do të na vinë nga ato për të marrë vendimin".Greqia dorëzoi të premten një listë të re me reformat që po planifikon të ndërmarrë, pasi lista e parë u refuzua nga Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe deri më tani, ende nuk është arritur ndonjë përfundim, pavarësisht punës gjatë fundjavës.Zyrtarë nga Brukseli kanë bërë të ditur se do të duhen edhe disa ditë, por shpresojnë që gjithçka të mbyllet në ditët e para të prillit, pasi deri në datë 20 ekziston mundësia që Greqia të mbetet me arka bosh.Në listën e dytë të dërguar është deklaruar se sufiçiti buxhetor do të jetë vetëm 1,5% e Produktit të Brendshëm Bruto, dhe jo 3% siç ishte planifikuar, ndërsa rritja ekonomike për vitin 2015 do të jetë vetëm 1.4% dhe jo 2.9% siç ishte rënë dakord gjatë negociatave të programit të shpëtimit me qeverinë e mëparshme.