Zbardhet vrasja e 1999 në Belgjikë: Porositësi ishte Arbeni, u krye nga Mark Frroku
Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, mbi bazën e materialeve të ardhura nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me shkresën nr. 2851/1 datë 27.03.2015 dhe Ministria e Drejtësisë me shkresën nr. 266/2 datë 28.03.2015, ka regjistruar procedimin penal nr. 2, të vitit 2015, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, në ngarkim të shtetasit Mark Frroku, i biri i Prengës dhe i Lezes, lindur me 06.10.1972, në Pukë dhe banues në Tiranë, i njohur ndryshe si Besnik Morina, alias Mark Frroku, i lindur në Gjakovë më datë 6 tetor 1972, alias Dritan Frroku, i lindur në Gjakovë me datë 6 tetor 1972, alias Dritan Frroku, i lindur në Gjakovë më datë 2 korrik 1969, alias Piro Sofrani, i lindur në Korye (Shqipëri) më datë 2 korrik 1969, me kombësi serbe, pa vendbanim apo rezidencë fikse në Belgjikë.
Vrasja në Belgjikë
Në datë 05.03.1999, viktima Aleksandër Kurti, lindur me 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint – Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, i njohur si Piro Sofrani. Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes. Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën, por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. Kristian Marinaj, i njohur si Arjan Bytyçi, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisen jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes.
Me vendim të datës 15 janar 2010 në mungesë, ndaj të akuzuarve Besnik Morina, Besnik Vuka, Arjan Bytyçi dhe Bib Lek Djafa, Gjykata e Krimeve të Renda të Rrethit të Brukselit, ka dënuar secilin prej tyre me nga 10 vjet heqje lirie. Duke qenë se, nga personat e dënuar është ankimuar vendimi i dënimit, Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 Mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim Gjykatës për Krime të Rënda të Provincës Brabant-Wallon, Belgjikë. Avokati i të akuzuarit Besnik Morina, i identifikuar si Mark Frroku, ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore të datës 31 Janar 2014, për në datën 23 Shkurt 2015. Prokurori i Përgjithshëm i Brukselit e akuzon shtetasin Mark Frroku, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”.
Hetimi pas vrasjes
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, më datë 5 Mars 1999, rreth orës 17:45, Policia e Saint-Gilles, ka zbuluar në një rrugë në hyrje të Stacionit “Gare du Mid”, nr. 47A të Avenue Fonsny, Bruksel, trupin e një djali të ri në agoni. Nga këqyrja rezultoi se hunda e tij ishte e mbuluar me gjak, kishte hematoma të rënda tek sytë, plagë në dorë dhe gjoksin e gjakosur me tre gjurmë goditjeje me thikë. Viktima, në bazë të dokumenteve të identifikimit që ju gjetën, është identifikuar si Azem Shkreli, lindur në Jugosllavi, më 8 shtator 1980. Policia ka konstatuar dhe marrë poshtë një kamioni, një thikë të madhe mishi, me një dorezë prej druri, tehu i të cilës ishte njollosur me gjak. Veprimet e para hetimore kanë treguar se bëhej fjalë për larje hesapesh ndërmjet personash të përfshirë në rrjetin e prostitucionit shqiptar.
Nga deklarimi i shtetasit Nikolas Kurti, vëllai i viktimës, i cili është pyetur nga hetuesit me 7 dhjetor 2000, ka rezultuar se vëllai tjetër i tij, i quajtur George, e ka informuar për “mbledhjen e baballarëve”, të mbajtur në Shqipëri, me 28 mars 1999. Zakoni shqiptar parashikon në rastet e gjakmarrjes se, baballarët e përgjegjësve të këtij krimi paraqiten para familjes së viktimës dhe japin informacionin mbi identitetin e autorëve. Gjatë kësaj mbledhjeje, baballarët e përgjegjësve japin shpjegime mbi rrethanat e vrasjes dhe e pranojnë ose jo përgjegjësinë e tyre. Kjo mbledhje duhet t’i bëjë të mundur familjes së viktimës, të mund të ushtrojë më pas të drejtën e gjakmarrjes.
Mbledhja e baballarëve
Në “mbledhjen e baballarëve” të zhvilluar në një fshat të Shkodrës, nga ku viktima është me origjinë, kanë qenë prezente: babai i viktimës, vëllai i viktimës, George Kurti, Preng Frroku, babai i Mark Frroku (Besnik Morina), Bibë Djafa, babai i Lek Bib Djaf, Fran Ded Joka, babai i Hile Joka (Arjan Bytyçi). Babai i autorit të katërt, Nikoll Vukol nuk është paraqitur në mbledhje pasi, djali i tij Alex Vuka (Besnik Vuka) nuk e vlerëson veten përgjegjës për vdekjen e viktimës, duke pretenduar se viktima kishte vdekur para se ai të ndërhynte. Megjithë mungesën e babait të Alex Vuka (Besnik Vuka), borxhi i gjakut është vënë dhe secila prej katër familjeve duhet që këtej e tutje “të paguante një jetë” që të vendosej serish paqja.
Sipas këtij zakoni, një dënim i rëndë në Belgjikë është i barabartë me një jetë. Mbledhja konfirmoi se, arsyeja e vrasjes së Aleksandër Kurti ka qenë larja e hesapeve në lidhje me shtetasen L.A. Sipas Nikolas Kurti, vëllai i tij Aleksandër, kishte disa probleme me një farë Ben, (Arben Frroku), me të madhin e tre vëllezërve Frroku, tutor i prostitutave me emrat L. M. dhe Z. Nikolas Kurti, ka deklaruar se Arben Frroku ishte porositës i vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti, e kryer nga vëllai i tij “Mark” alias Besnik Morina. Lek Bib Djafa (Xhafa) i ka deklaruar shumë shqiptarëve se, ka marre shumën 10.000 dollar amerikanë për ekzekutimin e shtetasit Aleksandër Kurti. Nga shpjegimet e shtetasit Nikolas Kurti, rezulton se ditën e ngjarjes, ka patur një debat midis viktimës dhe tre djemve të baballarëve, në ‘Gare du Midi’ në Bruksel. Një person i katërt ka ndërhyrë, toni është rritur dhe personi ka nxjerrë thikën.
Motivi i vrasjes
Motivi i vrasjes: Raporti midis viktimës dhe shtetases L. po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër. Në shtator dhe tetor 2000, Nikolas Kurti deklaron në polici se kunati i tij është lidhur me Markun (Besnik Morina) dhe shtetasin Hile Joka për të vrarë shtetasin Aleksandër Kurti. Prindërit e Kurtit jetojnë në Amerikë me djalin e tyre, Nikolas. Vëllai i tij Georges është larguar nga Shqipëria për një destinacion të panjohur në Europë. Ai është i kërkuar nga banda e të katërve.
Marku, me vëllezërit e tij Nardi dhe Arben, ka qenë përgjegjës për tri prostituta, që banojnë bashkë. Sipas dëshmitarit anonim ata quhen “Frroku”. Viktima me origjinë nga Shkodra (Shqipëri) është hequr si polic i Interpolit dhe se në Shqipëri e njeh familjen e shtetases L. Nga frika se mos familja e saj mësonte mbi punën që ajo bënte në Belgjikë, shtetasja L. i telefonon tutorit të saj Nardi (Frroku alias Shkurt Lasku) i cili ndodhej në atë kohë në Shqipëri. Ai e këshillon të njoftojë të vëllain Dritan (Besnik Morina). Dritani e fton t’i ngrejë një kurth viktimës në “Gare du Midi”. Shtetasja L. kontakton me telefon me Aleksandër Kurtin dhe e siguron se ajo do të ishte vetëm me të në takim. Në orën dhe vendin e caktuar, nuk është L., e cila pret viktimën, por katër persona të cilët kanë për qëllim ta vrasin.
Këto veprime kualifikohen si elemente të anës objektive të veprës penale “vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Në këto kushte, nga Prokuroria e Përgjithshme është provuar se deputeti Mark Frroku ka konsumuar elemente të veprës penale të “vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Për këtë fakt është regjistruar procedimi penal përkatës nr. 2 i vitit 2015. Vepra penale e vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim, paraqet rrezikshmëri shoqërore shumë të lartë dhe në këto kushte kërkesa e organit të akuzës është për një masë sigurimi të karakterit shtrëngues “arrest në burg”, për shtetasin Mark Frroku.
Në aplikim të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale masat e sigurimit mund të caktohen vetëm nëse në ngarkim të tij ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova. Sipas parashikimeve të nenit 229 të Kodit të Procedurës Penale, masat e sigurimit vendosen në raport me rëndësinë e faktit dhe sanksionet që parashikon vepra penale për të cilën dyshohet, respektivisht nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal. Për sa më sipër, me qëllim për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm nga Prokuroria, bazuar në nenet 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, kërkoj nga Kuvendi autorizimin për arrestimin ose heqjen e lirisë, së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Mark Frroku.