Tragjedia ajrore në Francë, piloti i dytë përplasi me dashje avionin
Piloti i dytë ka përplasur me dashje avionin e kompanisë Germanwings në Alpet franceze, duke u bërë kështu përgjegjës për vdekjen e 150 personave në bord.28-vjeçari Andreas Gynter Lubitc, ka mbyllur kabinën duke lënë jashtë kapitenin, dhe më pas ka drejtuar avionin Airbus 320 drejt shpatit të malit.Zbulimi u bë nga prokurori francez, Bris Robin, pasi autoritetet rikuperuan kutinë e zezë.Nga regjistrimet zanore, kapiteni i quajtur Patrik S, dëgjohet të bërtasë dhe të godasë me forcë derën duke i kërkuar ndihmësit të tij të futet në kabinë, pa marrë asnjë përgjigje.Ai i kishte lënë komandën Lubitc për pak minuta për të shkuar në tualet.Në raste urgjencash, pilotët e kanë një kod të veçantë për të hapur derën e kabinës, kod ky që mund të çaktivizohet vetëm manualisht nga brenda.Mbyllja e kabinës me kod sigurie është vendosur në avionët e të gjitha linjave pas sulmeve të 11 shtatorit dhe rrëzimit të kullave binjake në Nju Jork.Prokurori Bris Robin, tha gjithashtu se në tetë minutat e fundit para përplasjes fatale, Lubitc nuk kishte thënë asnjë fjalë."Ndërsa ishte vetëm në kabinë ai shtyp butonin e sistemit monitoriues dhe e orienton avionin drejt zbritjes. Dhe ky veprim mund të bëhet vetëm me dashje. Arysen nuk e dimë ende, por qëllimi i tij ishte ta shkatërronte avionin. Megjithatë ai nuk njhej si terrorist".Sipas prokurorit, pasagjerët kanë kuptuar atë që po ndodhte vetëm në minutën e fundit të rënies së lirë që zgjati tetë minuta, pasi vetëm në atë çast në kutinë e zezë janë dëgjuar të bërtiturat e tyre.Autoritetet gjermane kanë mbërritur menjëherë në banesën e Lubitc në qytezën Montbaur dhe shumë shpejt pritet të sjellin detaje nga jeta e tij private.28-vjeçari me kombësi gjermane ishte pjesë e kompanisë Germanwings që prej vitit 2013 dhe kishte në total 630 orë fluturim, pas trajnimit që kishte bërë me gjigantin Lufthansa.Fqinjët e përshkruajnë si një njeri miqësor që kishte ëndërr fluturimin.Avioni Airbus 320, që po udhëtonte nga Barcelona në Dyseldorf, kishte 150 vetë në bord, 144 pasagjerë dhe 6 pjestarë të ekuipazhit. Mes tyre, 72 gjermanë, 50 spanjollë, si dhe australianë, argjentinas, britanikë, amerikanë e të tjerë.