Rama: Vijë të kuqe për rregulloren e Kuvendit, opozita çetë që flet përçart
Kryeministri, Edi Rama, ka tërhequr edhe njëherë vëmendjen për zbatimin e rregullores së Kuvendit.Teksa iu drejtua deputetëve nga foltorja, me ulëset bosh në krahun e opozitës, Rama tha se mazhoranca do të vërë një vije të kuqe për rregulloren, ndërsa kërkoi sërish dekriminalizimin e shpifjes. “Ne do vazhdojmë ti mirëpresim këtu. Por unë jam i bindur se do të vendosim një vijë të kuqe kësaj ane dhe asaj ane dhe kjo vijë e kuqe është rregullorja e Kuvendit. Ne vimë këtu për të diskutuar ligjet, jemi të gatshëm ti dëgjojmë me orë tëra kur flasin për ligjet. Të gatshëm t’iu përgjigjemi për çdo inperpelancë, pyetje, të replikojmë me seriozitetin dhe respektin më të madh për çdo alternativë të tyre sado e marrë që të jetë. Por ne nuk jemi të gatshëm të dëgjojmë këta që marrin fjalën për procedurë që të marrin peng parlamentin.Ne duhet të bëjmë atë që kanë bërë parlamentet e tjera europiane, denoncimin shpifës si vepër penale. Nuk mund të përdorim mandatin tonë për tu zhgarravitur me njëri-tjetrin, njësoj si ato qëniet e lëna pas dore atje në Kopshtin Zoologjik. Mos harrojmë që edhe ai demi në Kopshtin Zoologjik nuk do sillej si këta nëse njëri nga këta nuk do të ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës”.Duke e cilësuar grupin parlamentar demokrat një çetë që meritojnë shtëpinë e oficerëve, Rama tha se fjalimet dhe propaganda e opozitës në Parlament janë njësoj si sulmi i demit në Kopshtin Zoologjik.“Ja ku jemi para një momenti kur flasim për një reformë të zvarritur vite të tëra, një reformë që ishte kusht për qeverinë dhe kryeministrin paraardhës për të marrë mbështetje financiare nga BB dhe për të përfituar mundësi të reja që ju mohuan vendit. Kjo nga fakti se qeveria dhe Kryeministri paraardhës nuk ishin aty për të bërë reforma, por edhe nga fakti se vetes i thonë të djathtë. Edhe në parlament ulen në të djathtën e kësaj foltoreje por nuk kanë asgjë të përbashkët me të djathtën europiane, me idetë, parimet dhe vlerat e një të djathte që ka bërë historinë e saj të reformave dhe transformimeve në Europën ku jetojmë. Janë thjesht një çetë që meritojnë shtëpinë e oficerëve dhe që çdo të enjte këtu na sjellin duhmën e klubit të shtëpisë së oficerëve.Ndërkohë që ne jemi këtu për të vazhduar punën tonë. Dhe kjo është arsyeja që unë besoj se ne duhet të jemi të prerë në zbatimin e rregullores. Në fund të fundit qeveria dhe mazhoranca vinë në Kuvend për opozitën, Kryeministri vjen për opozitën. Se po të ishte për të ardhur për njëri-tjetrin mbaronim punë në Komisione dhe këtu vinim vetëm për të votuar. Opozita nuk mund ta kthejë dot parlamentin në një klub ku flitet përçart, ku pengohet publiku për të dëgjuar se çfarë ligjesh propozon shumica dhe çfarë alternative ka opozita. Dhe ku pengohet për të kuptuar se ku gjërat mund të bëhen më mirë. Këtu goditen çdo të enjte themelet bashkëjeteses demokratike dhe themelet e institucioneve”.Duke folur pas votimit pro heqjes së imunitetit për dy deputetët, kryeministri Rama, akuzoi opozitën për sulm ndaj Prokurorisë lidhur me kërkesën për arrestimin e deputetëve Doshi dhe Frroku.“Sot që nga mbrëmë u godit në mënyrën më kriminale organi i akuzës si pjesë e themelit të sistemit të drejtësisë, duke folur për vërtetësinë e muhabeteve të një gangoje nga Fushë Kruja që nuk kanë lidhje fare me vendimin tonë. Këshilli i rregullores nuk është as prokurori dhe as gjykatë. Është për të dëgjuar deputetët dhe për të përcjellë një raport në Kuvend. Nuk është largët koha kur Kryeministri i këtij vendi i kundërvinte prokurorisë policinë e shtetit dhe me forcën abuzive të pushtetit imponohej dhe refuzonte arrestimin e zinxhirit të komandës së gardës së republikës për vrasjen e katër personave të pafajshëm. Ne nuk pretendojmë se jemi të përsosur, të pagabueshëm apo që në rrugën tonë nuk mund të ketë njerëz që mund të bien në faje, që meritojnë të ndëshkohen me forcën e ligjit.Përkundrazi ne pretendojmë se jemi zgjedhja e duhur për këtë vend, forca e duhur qeverisëse sepse idetë tona, programi, parimet dhe vlerat e këtij krahu politik janë më të favorshme për popullin shqiptar dhe zhvillimin e vendit tone”.