Rruga “Stipe Mesiç”, ish-Presidenti kroat në Shëngjin për përurimin
Nuk do ecin më në baltë, pluhur apo grapa të stërmëdha uji. Nga sot banorët e Ishull-Lezhës do të lëvizin në një rrugë krejtësisht të rikonstruktuar.Në një pjesë të saj ajo do të mbajë emrin e ish-Presidentit kroat Stipe Mesiç, i cili ishte dhe vetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit. Për Mesiç, Infrastruktura është themeli i zhvillimit dhe përparimit të një vendi.Mesiç: “Nga kryekomunari i Shëngjinit kam mësuar shumë gjera për Shqipërinë. Në të gjitha shtetet e pazhvilluara ka qenë shumë e rëndësishme infrastruktura. Përparimi i tyre lidhet ngushtë me infrastrukturën. Më vjen shumë mirë dhe kam kënaqësinë të them që miku im këtë gjë e ka kuptuar. Rrugët bashkojnë, njerëzit, ekonominë, të gjithë vendin”.Kreu i komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj i rritur në këtë lagje, thotë se sistemimi i saj është një fakt i mirë që zona të mos braktiset.Për rehabilitimin e plotë të kësaj lagjeje duke përfshirë krahas rrugës edhe kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza, trotuare e ndriçim, komuna e Shëngjinit ka investuar nga fondet e veta 500 milion lekë të vjetra.