Festa e Sulltan Novruzit, besimtarët mblidhen në kryegjyshatën botërore
Besimtarët bektashinj kremtuan ditën e Sulltan Nevruzit. Qindra besimtar iu drejtuan selisë së Kryegjyshatës Botërore për t’iu lutur Zotit. Si çdo vit, politikatë, diplomatë dhe krerët e besimeve të tjera uruan besimtarët. Presidenti i vendit, Bujar Nishani, tha se politika duhet të orientohet nga mirësia. Kreu i parlamentit uroi "më shumë qetësi dhe dashuri", ndërsa lideri i opozitës Lulzim Basha u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen kundër krimit.Tiranë- Besimtarët bektashinj festuan ditën e Sulltan Nevruzit, që për ta konsiderohet si dita e re dhe e shpresës. Këtë të dielë bektashinjtë u lutën në odeonin e ri, po ashtu ndezën qirinjtë duke iu drejtuar Zotit me lutjet e tyre.Kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, lexoi lutjet për besimtarët.E bërë tashmë traditë, politikanët, diplomatët dhe krerët e besimeve fetare uruan këtë ditë të shenjtë të bektashinjve. E ndërsa mesazhet nisën nga mirësia e fesë, autoritetet nuk qënduan indiferentë ndaj situatës aktuale politike.Bujar Nishani: Të gjithë politikanët të orjentohen te mirësia, te dashuria, respekti dhe të punojnë për hallet dhe problemet e njerëzve tanë.Ilir Meta: Uroj të gjithë besimtarëve bektashnj, por edhe të gjithe shqiptarëve, sepse këto festa janë e të gjithëve dhe kjo është veçoria por dhe krenari e çdo shqiptari. Më shume qetësi dhe dashuri.Lulzim Basha: Ashtu si shqiptarët u përbashkuan 23 vite më parë, në ditën e shënuar të Zotit, më 22 marsin e 1992-shit, për të hedhur poshtë diktaturën, për të hapur rrugët Shqipërisë që të zhvillojë një demokraci evropiane dhe t’i bashkohet familjes së kombeve të lira evropiane, po kështu sot të ndodhur përballë një sfide tjetër të madhe që është sfida e krimit, e diktaturës së krimit, e krimit të pushtet, të përbashkohemi të gjithë, pa dallime, të djathtë e të majtë, në një përballje pa kthim dhe me fitore kundër krimit në pushtet, kundër kriminalizimit.Kjo festë zyrtare fetare u dekretua në vitin 1996 dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut dhe për të gjithë besimtarët është një ditë e shenjtë në kalendarin e bektashinjve.