Greqi, pas tollonave të ushqimit ulen gjobat për borxhet e këqija
Parlamenti grek aprovoi një tjetër ligj për të nxjerrë vendin nga kriza, sipas të cilit do të ketë ulje drastike të penaliteteve ndaj qytetarëve që i detyrohen shtetit miliarda euro në taksa të papaguara.Duke qenë se nuk i lejohet të marrë hua në tregjet e huaja dhe nuk ka ende akses në pjesën e mbetur të fondeve nga programi i shpëtimit, Athina rrezikon të mbetet me arkat bosh në javët e ardhshme prandaj qeveria e radikalëve të majtë propozon lehtësime për ata që shlyejnë detyrimet.Ligji i ri u mbrojt me forcë nga Ministri i financave, Janis Varufakis, në parlament."Ky ligj është e vetmja mënyrë e mundshme për të rregulluar borxhet e një populli që ka qenë viktimë e krizës prej vitit 2010, rënduar edhe më tepër nga masat shtrënguese".Kjo është masa e dytë që qeveria e re ka ndërmarrë për të luftuar krizën në vend, pas ligjit kundër varfërisë sipas të cilit kategori të caktuara do të përfitojnë nga tollona për ushqim, energji elektrike dhe shërbim shëndetësor falas.Disa ligje të tjerë të kësaj natyre pritet të aprovohen deri në prill, me shpresën që kreditorët ndërkombëtar do të lirojnë fondet e mbetura.Qeveria greke ka vlerësuar se taksat e papaguara kanë arritur në shifrën 76 miliardë euro bashkë me penalitetet dhe kamatëvonesat, ose 42% e produktit të brendshëm bruto të vendit. Sipas saj, vetëm 8.9 miliard nga kjo shumë mund të mblidhet në arkat e shtetit.Pas takiemve të kryeministrit Tsipras në Bruksel me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez, Fransua Holond, Greqia pritet t'i marrë 7.2 miliard eurot e fundit nga kreditorët ndërkombëtarë, ndërsa vetë Presidenti i Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker, njoftoi dy ditë më parë që unioni kishte gati 2 miliarë euro për Greqinë, për t'u përdorur në projekte që do të rigjallëronin ekonominë dhe të ulnin papunësinë te të rinjtë.