Takimi Merkel-Tsipras, Kancelarja: Mos prisni çudira, vendimet i merr Eurogrupi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, parlajmëroi që askush nuk duhet të presë mrekullira nga takimi i sotëm mes saj, Presidentit francez, Fransua Hollond, dhe kryeministrit grek, Aleksis Tsipras.Takimi që pritet të zhvillohet sonte në orët e vona të natës, mësohet se është kërkuar nga Tsipras, i cili gjithashtu do të takohet me Kancelaren gjermane javën e ardhshme në Berlin."Shumë prej jush po flasin për takimin e sotëm me Kryeministrin grek. Dua t'ju them që të mos prisni zgjidhje, apo ndonjë çudi. Vendimet merren në Eurogrup dhe kështu do të vazhdojë".Ndërsa Presidenti francez, Fransua Hollond, u tha gazetarëve se mesazhi ndaj Tsiprasit do të jetë që të gjitha palët duhet t'i përmbahen zotimeve që kishin bërë.Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu kanë kritikuar planin e Gjermanisë dhe Francës për ta diskutuar veçmas krizën greke ndërkohë që të gjithë shtetet e Bashkimit Europian janë mbledhur për një samit këtë të enjte.Kritika e kryeministrit belg, Sharl Mishel dhe homologëve të tij të Holandës dhe Luksemburgut, bëri që presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, t'i mbledhë veçmas të tre dhe t'i sigurojë që në takimin trepalësh mes Merkel, Hollond dhe Tsipras pikëpamjet e tyre do të parashtrohen dhe nuk do të merret asnjë vendim.