Banorët e Pustecit përfshihen në skandalin e përgjimeve në Maqedoni
Banorët e Pustecit në Korçë janë përfshirë në skandalin e përgjimeve në Maqedoni, ku ata përmenden për votimin në zgjedhjet e 2013 në shtetin fqinj. Sipas opozitës maqedone pjesëmarrja e tyre në këtë proces ka qenë e jashtëligjshme, ndërsa vetë banorët janë të ndarë për këtë çështje.Pak ditë më parë opozita maqedonase publikoi disa përgjime ku tregonte se banorët e komunës së Pustecit në Prespë të Korçës në zgjedhjet e vitit 2013 në mënyrë të padrejtë kanë votuar në Maqedoni, pasi nuk janë rezidentë të përhershëm atje. Por akuzat jane hedhur poshtë nga kryetari i komunës së Pustecit Edmond Themelko, i cili e quajti votimin normal, për rreth 500 apo 600 banorë të Prespës, të cilët janë me kombësi maqedonase dhe të pajisur edhe me karta identiteti duke iu dhënë automatikisht të drejtën e votës.Kryetari i komunës Pustec, Edmond Themelko: “Që të votosh në Maqedoni duhet të kesh kartë identiteti, bëhet fjalë për 500 deri në 600 banorë të komunës së Pustecit që punojnë në mënyre sezonale në Maqedoni , rrinë dhe në komunën e Pustecit, kanë marrë karta identiteti dhe kanë bërë detyrimin e tyre ligjor për të votuar në Republikën e Maqedonisë. Këtu nuk ka asnjë gjë të jashtëligjshme.”Por vetë banorët e Pustecit e cilësojnë të jashtëligjshëm votimin në Maqedoni. Sipas tyre ata që votojnë atje paguhen, kështu ka ndodhur edhe në zgjedhjet e 2013.