Bashkëpunimi me Shqipërinë, Mimoza Kusari Lila: Me projekte konkrete

Zyrtarët e komunave në Kosovë kërkojnë që bashkëpunimi me Shqipërinë të bëhet me projekte konkrete.Kryetarja e komunës së Gjakoves, Mimoza Kusari Lila, tha në një intervistë për Ballkan Magazine të gazetares Linda Karadaku se një nga këto projekte është Rruga e Argjendit, e cila dikur lidhte Gjakovën me Shkodrën.Çfarë mund të bëhet për t’i përmirësuar edhe më tej këto marrëdhënie, në fakt çfarë mund të bëjnë dy qeveritë përkatëse, të Kosovës dhe Shqipërisë për ti bërë këto marrëdhënie më të prekshme për qytetarët e dy vendeve, pavarësisht retorikës?Natyrisht retorika ka munguar prej disa vite. Flasim për një politkë miqësore mes dy shteteve, por definitivisht mendoj se takimet e radhës së dy qeverive duhet të jenë me projekte konkrete. Që do të thotë jo në nivelin e deklaratave, por në nivelin e projekteve të cilat do të shënojnë dhe do të përcjellin deri në takimin tjetër. Unë besoj se kemi hapësirë dhe potencial që të fillojmë fizibilitetin për një rrugë e cila do të jetë tepër e rëndësishme dhe është historike në kuptimin edhe të asaj sesi është qyteti i Gjakovës, është “Rruga e Argjendit” që dikur ka lidhur Gjakovën dhe Shkodrën si dy qytetet që kanë tepër ngjashmëri dhe rruga për të lidhur këto dy vende është shumë e kushtueshme, por ka nevojë për një fizibilitet. Mendoj që ështe tepër e rëndësishme që në kuadër të projektit të Alpeve Shqiptare të filloi para fizibilitetit dhe pastaj qeveritë të përkushtohen që të inkurajojnë donatorët që të jenë pjesë e këtij projekti. Mendoj se maksimalisht duhet të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat që janë nga BE, fondet e IPA-s, thirrjet e shumta Cross Border që tashmë për Shqipërinë dhe Kosovën do të jenë në muajin shtator.Bashkë mund të jemi më të fortë ekonomikisht sesa të ndarë dhe kjo duke tejkaluar edhe interesat ditor apo afatshkurtra të disa individëve edhe në Kosovë edhe në Shqipëri që janë në biznes dhe që shohin se zgjerimi i këtyre vendeve mund të rrezikojë bizneset e tyre në shtetet e tjera. Por duhet parë në periudha afatgjatë sepse në këtë mënyrë Kosova dhe Shqipëria mund të bëhen faktorë jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë.