Lame në “Jamais Vu”: Në Shqipëri ka indiferencë, jo tolerancë fetare

Në Shqipëri nuk ka tolerancë fetare por indiferencë fetare. I këtij mendimi është Artan Lame, aktualisht kreu i ALUIZNI-t.I ftuar në emisionin “Jamais Vu” të gazetarit Mustafa Nano, Lame dha dhe argumentat se përse mbron këtë ide.“Në të vërtetë unë nuk besoj te toleranca shqiptare. Ndodh që për gjënë më të vogël shqiptarët nxjerrin koburet. Si ka mundësi atëherë që këta shqiptarë vetëm te feja na qenkan tolerantë? Në fakt unë më shumë e kam lidhur këtë fakt me indiferencën fetare, jo tolerancën. Jemi popull rural, dhe fshatarësia është më e pandikueshme nga feja. Debati i kohëve të fundit, e arriti këtë rezultante, pra që shqiptarët janë më shumë indiferent se sa tolerant.Sepse ‘toleranca fetare’ u kthye në një mit, por dhe në një frazë boshe që më shumë përdorej nga politika. Faktet e fundit me ekstremistët myslimanë tregojnë që ne jemi të ndikueshëm dhe madje ky ndikim na bën dëm. Ose, të marrim një fakt tjetër, ajo që po ndodh me rrethimin e Katedrales Ortodokse.Pati irritim, u trajtua si epoka e një Enver Hoxhë të dytë. Por në fakt heqja e gardheve bëhet që njeriu të jetë më pranë institucioneve, t’i preki ato jo të ndahet me anë të gardheve. U hoq gardhi nga Kryeministria, do hiqen dhe nga institucionet e tjera. Më kujtohet një shprehje e Papa Gjon Palit të Dytë, i cili ka thënë: “Hapni Portat””.Si studiues i historisë shqiptare dhe veprimtar i shoqërise civile për mbrojtjen e trashëgimise kulturore shqiptare, Lame vlerëson se kryeqytetit i ka mbetur shumë pak nga historia e tij.E në këtë drejtim, ai bën dhe profilin sesi duhet të ishte kryebashkiaku i ardshëm i Tiranës.“Kujtesa ka të bëjë me vendin, sepse unë e mbroj me fanatizëm një vend ku kam kujtime. Dikush që nuk ka lidhje me të nuk e ka problem. Unë e kam ndërtuar jetën në këtë qytet, në Tiranë. Nuk kam ikur asnjëherë dhe dua ta mbyll jetën këtu. Ndaj nuk shoh politikë në administrimin e këtij qyteti. Dhe kështu duhet të ndodhi në zgjedhjet lokale. Çdo qytetar ka hallin e shpirtit të vet, problemet e përditshme. Ajo që doja të thosha është pikërisht që ka ardhur koha t’i shohim zgjedhjet vendore jo thjesht politikisht, por çfarë është në gjendje të na zgjidh një kryebashkiak. Mund të themi shumë gjëra për administratën e Edi Ramës si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ta kritikojmë, sidomos në mandatin e fundit, por si këto 4 vjet, stanjacion e fshatarizimi që përcolli administrata e drejtuar nga Basha nuk ka bërë vaki”.