Kukës, Peticion për energjinë, kërkohet të falen kamatvonesat dhe debia

Shoqëria civile në Kukës prej dy ditësh ka iniciaur një peticion për faljen e kamatvonesave, për shkak të kushteve të vështira ekonomike ku jetojnë banorët e këtij qarku. Kukësi është një ndër zonat me borxhin më të madh ndaj OSHEE-së.Banorët e Kukësit, një ndër qarqet me borxhin më të madh ndaj OSHEE-së, prej dy ditësh kanë nisur mbledhjen e firmave për një peticion drejtuar Qeverisë dhe ambasadave të akredituara në vendin tonë, për të falur kamatvonesat e energjisë elektrike dhe debinë e krijuar në vite.Të shpërndarë në disa pika të qytetit, drejtues të shoqërisë civile thonë se deri tani janë mbledhur më shumë se 1500 firma, ndërkohë që ky peticion do të shkojë edhe në rrethet e Hasit dhe Tropojës.Shoqëria civile: “Të falet debia dhe kamatvonesa e papaguar e energjisë elektrike, ne kërkojmë një mbështetje të gjerë nga banorët e kukësit dhe të Hasit së bashku me komunat përreth. Deri tani kemi mbledhur rreth 1500 firma me numra karte.Kjo lindi si përgjigje e skamjes, e pamundësisë që kanë njerëzit, kemi plot pensionistë që mezi blejnë ilaçet”.Kukësi deri pak muaj më parë ishte një ndër qarqet ku shlyerja e faturave të energjisë ishte në nivele shumë të ulëta, por masat shtrënguese të ndërmara nga qeveria detyruan banorët që t’i drejtohen arkës së OSHEE-së. Sipas tyre kjo është shoqëruar me ulje të nivelit ekonomik të banorëve, pasi detyrohen të paguajnë energjinë duke marrë para borxh.