Ndeshja kthehet në tragjedi, 22 tifozë të vdekur në Egjipt

22 të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur jashtë një stadiumi futbolli në Kajro, ndërkohë që luhej Derbi i qytetit mes skuadrave Zamalek dhe Enpi. Shumica e viktimave mbetën të mbytur nga gazi lotsjellës i përdorur nga policia për të ndaluar tifozët që përpiqeshin të futeshin në stadium për të parë ndeshjen.Që prej tragjedisë së ndodhur në Port Said në vitin 2012, ku 72 vetë humbën jetën në një ndeshje futbolli, autoritetet në Egjipt lejojnë një numër të kufizuar tifozësh për të ndjekur ndeshjet dhe kjo shpesh sjellë përleshje të tyre me policinë.Sipas disa mediave egjiptiane qeveria mund edhe të ndërpresë për këtë sezon kampionatin vendas për të shmangur tragjedi të tjera në të ardhmen.Jashtë spitalit të Kajros ku po kuroheshin të plagosurit, turma tifozësh të skuadrës Zamalek qëndronin të shokuar ndërsa familjarë të shumtë mbërrinin për të parë nëse të dashurit e tyre kishin shpëtuar apo jo.Marrëdhëniet mes forcave të sigurisë dhe grupeve ultra në Egjipt janë tensionuar së tepërmi që prej vitit 2011, ku pjesa më e madhe e tyre ishin në shesh gjatë protestave që sollën edhe rrëzimin nga pushteti të autokratit Hosni Mubarak.Ministria e brendshme u mbrojt përmes një deklarate ku thuhej se policia u detyrua të ndërhynte pasi tifozët donin të futeshin me dhunë në stadium, ndërsa prokuroria ka nxjerrë urdhër arresti për udhëheqësit e grupit ultra të tifozëve të Zamalek, ndërkohë që vetë tifozët i quajtën martirë 22 të vrarët.