Tsipras "luftë" Europës: Duam një marrëveshje të re për borxhin
Aleksis Tsipras u zotua se do t'i japë fund masave shtrënguese duke hedhur poshtë çdo mundësi për shtyrjen e programit të shpëtimit nga ndërkombëtarët dhe i kërkoi Gjermanisë të shlyejë dëmshpërblimin që i detyrohet vendit të tij për masakrat e nazistëve në Luftën II Botërore.Në fjalimin e parë të rëndësishëm në parlamentin helen që prej marrjes së pushtetit muajin e kaluar, kryeministri grek i radikalëve të majtë të Syriza-s, njoftoi një sërë masash që do të marrë të cilat bien ndesh me kërkesat e kreditorëve, si rivendosja e bonuseve në pensione, anullimi i taksës së pronës, ndërprerja e shkarkimeve masive nga administrate publike, si dhe rikthimi i pagës minimale në nivelet e mëparshme."Populli grek na dha një mandat të pastër për t'i dhënë menjëherë fund masave shtrënguese, që janë katastrofale, dhe për të ndryshuar politikat e shtetit. E kemi thënë gjithmonë që Greqia do t'i paguajë borxhet e veta! Kështu që partnerët tanë janë të ftuar të ulen në tavolinë dhe të diskutojmë mënyrat për ta bërë këtë. Qeveria e re greke ka një detyrim historik të kërkojë dëmshpërblimet e Luftës II Botërore, është një detyrë ndaj historisë!"Palët pritet të takohen sërish këtë javë pasi afati i marrëveshjes së deritanishme përfundon më 28 shkurt. Edhe pse pranoi se Greqia do ta ketë të vështirë të vetëfinancohet pa ndihmën e ndërkombëtarëve, Tsipras kërkon kreditorët të nënshkruajnë një marrëveshje të përkohëshme deri në qershor, dhe në këtë periudhë të ketë diskutime rreth një programi të ri.Në përpjekje për të vërtetuar se nuk do ta kthejë Greqinë në ditët e shpenzmeve marramendëse, Tsipras deklaroi gjithashtu se po shkurtonte disa benefite të kabinetit të tij, si makinat për ministrat, dhe se gjithashtu do të nxirrte në shitje një prej avionëve të kryeministrit. Gjithashtu ai u zotua të godiste evazorët fiskalë, sidomos ata të shtresës së pasur.