Visar Zhiti Ambasador në Vatikan, PS-PD thirrje Nishanit: Dekretoje. Kisha: Nuk jemi kundër

Visar Zhiti ka arritur të thyejë ndasitë politike duke bërë bashkë PD e PS që kanë pasur një apel të unifikuar për Presidentin e Republikës Bujar Nishani, të hedhë firmën në dekretin që diplomati, poeti, ish-deputeti të jetë Ambasador i Shqipërisë në Vatikan.E para që përcolli mesazhin për Kreun e Shtetit ishte kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade dhe fill pas saj, Jozefina Topalli, demokratja e cila merrte pjesë për herë të parë në një mbledhje të Komisionit.Jozefina Topalli: “Ndoshta ne më shumë se një ambasador në Vatikon sot po miratojmë një apostull shqiptar, dhe në këtë kuptim unë së bashku me të gjithë kolegët, ndihemi krenar për emrin e Visar Zhitit”Më i drejpërdrejt ishte socialisti, Ben Blushi, i cili ftoi Presidentin të tejkalojë pengesat politike, dhe njëkohësisht kritikoi kundërshtimin e Zhitit nga njerëz të Kishës katolike.Ben Blushi: “Është paragjykuar për shkak të fesë së tij të trashëguar si mysliman. Ne jemi shtet laik dhe nuk kemi kritere punësimi me kushtetutë me ligj për shkak të besimit. Kështu që nuk mund të jetë ky kriter dhe këtë kriter nuk mund të na i imponojë askush, as kisha që në këtë rast është future padrejtësisht në një debat që nuk i takon”Por vetë Kisha katolike përmes Sekretarit të Përgjithshëm, ka deklaruar se nuk ishte kundër kandidaturës së Zhitit, por se është shprehur se do të kishte qenë e përshtatshme që Ambasadori i Shqipërisë në Vatikan të ishte katolik.Argumenti që ka dhënë Kreu i Shtetit, Bujar Nishani, për refuzim të dekretimit të emrit të Zhitit, ka qenë mungesa e konsultës nga ana e mazhorancës. Deputetja e ish-forcës së tij politike, Topalli, e ftoi Nishanin:Jozefina Topalli: “Është detyrë që të konsultohet presidenti që të mos krijohen pastaj debate që i shërbejnë as vendit, as shqiptarëve. Këto konsultime duhet të ishin bërë. Por në të njëjtën kohë them se ky është një rast se cdo ligj ka përjashtimet e veta dhe Zhiti është një përjashtim në cdo aspekt”Vetë, Visar Zhiti, preferoi të mos bëhet pjesë e polemikave për kandidimin e tij, por dha premtimin e një Shqipërie shpirtërore në Vatikan.Visar Zhiti: “Në një moment të vështirë e pranova këtë detyrë, një detyrë shpirtërore. Vatikani sepse është qytet shtet më i vogli në botë është superfuqi shpirtërore. Ne kemi një begraund të mrekullueshëm për të qenë në Europë, nuk jemi në von për të hyrë në Europë, është vonë Europa për të na njohur dhe për tan a njohur neve. Në këtë drejtim mund ti thuhet Vatikanit kjo gjë dhe mund të bëhet shumë”Në seancë, deputetët dëgjuan edhe Fatos Rekën i propozuar si Ambasador ne Maqedoni dhe Bardhyl Canajn si Ambasador në Izrael.