Berlin, hapet Festivali i 65 i Filmit, merr pjesë filmi shqiptar “Burrneshat”
"Nobody wants the Night" me regji të spanjolles Isabel Coixet, dhe me protagoniste kryesore aktoren e famshme, Juliette Binoche,çeli siparin e Festivalit të 65 Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.Drejtori i festivalit, Dieter Kosslick, dhe regjizori amerikan njëkohësisht presidenti i jurisë për këtë vit, Darren Aronofsky, hapën "Berlinalen" në natën gala të mbajtur në Potsdamer Platz, në zemër të kryeqytetit gjerman.Berlini është një nga vitrinat më të vjetra të filmit në botë dhe ka një traditë të hershme të filmave me tematikë politike. Ministrja e kultrës gjermane Monika Gruetters thotë se “Berlinalja është dhe ka qenë gjithmonë një festival politik dhe gjithashtu edhe këtë vit theksi është në politikë”."Fakti që ne do të shohim filmin "Taksi" të regjisorit Jafar Panahi të konkurrojë zyrtarisht, nuk mund të merret si e mirëqenë. Unë miratoj që ju, i dashur Dieter Kosslick, do të vazhdoni të ftoni Jafar Panahi-n çdo vit, derisa ai më në fund të lejohet të marrë pjesë në festival,” shtoi ajo. Regjisori Iranian, Jafar Panahi, u ftua në festivalin e filmit të Berlinit disa herë, por më pas u ndalua të bëjë filma në Iran. Gjithsesi një vëmendje të madhe pati aktorja Binoche me filmin që flet për dy femra të cilat presin gjatë për njeriun, të cilin e dashurojnë të dyja, por në mënyra tërësisht të ndryshme. Në Berlin konkurron edhe filmi "Burrneshat” me regji dhe skenar të Laura Bispurit dhe Francesca Manieri, i cili do të shënojë pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Berlinale. Festivali i Berlinit mbyllet më 15 shkurt, kurse "Burrneshat" do të ketë premierën botërore në 12 shkurt.