Kopshti nr. 21, mbyllja e tij le pa mësim 150 fëmijë të Kombinatit

Në muajin tetor të 2013, Bashkia e Tiranës nisi ndërtimin e kopshtit nr 21 në zonën e "Kombinatit" për shkak të amortizimit total të kësaj godine. Investimi në fjalë arriti vlerën e 39 milionë lekëve dhe u financua nga buxheti i Bashkisë së Tiranës.Punimet përfunduan në qershor të 2014, sipas afateve të projektit. Siç mund të shihet është tërësisht i ndërtuar, por dera e tij është e mbyllur. Kanë kaluar muaj dhe kjo fasadë e këndshme nuk ka pritur fëmijë. Kapacitetet akutale janë për 150 të vegjël, të cilët nuk po zhvillojnë mësim në këtë kopsht për këtë vit.Referuar shqetësimit të prindërve, “Ora News” iu adresua institucioneve përkatëse për të marrë një përgjigje se e kujt është përgjegjësia.Bashkia e Tiranës nga ana e saj tha se rindërtimi ka përfunduar sipas afateve dhe se baza materiale është vendosur dhe se për këtë institucion është gjithaçka gati për tu hapur. Por arsyeja përse kjo nuk ka ndodhur është OSHEE që nuk ka lidhur energjinë për shkak se nuk ka bazë materiale, në këtë rast matës të energjisë elektrike.Iu drejtuam gjithashtu njësisë bashkiake nr 6 dhe kryetari i njësisë,  Krenar Cenollari tha se nuk ka asnjë debi ndaj OSHEE.Duke qenë se përgjegjësitë delegohen lehtë dhe askush nuk mban përgjegjësi, vijuam të kërkonim informacion te OSHEE. Burimet zyrtare të këtij institucioni thanë se problemi është i mbartur.Por OSHEE sqaroi se me datë 17 janar kërkesa e kopshtit për automat është pranuar dhe i është dërguar Drejtorisë së njësisë Tirana 1 për zbatim.Sipas grafikut dhe planit të punës që ka pasur në proçes, kjo Drejtori të mërkurën do ta mbyllë këtë shërbim. Në mbyllje të komunikimit OSHEE ka marrë te gjitha masat që sa më shpejt kopshtit t’i rikthehet energjia.