Obama fajëson Moskën për Ukrainën: Sanksione të reja, nëse nuk tërhiqet

Që nga India, ku po kryen një vizitë të rëndësishme, Presidenti amerikan, Barak Obama komentoi ngjarjet e dhunshme në Ukrainë, ku trupat qeveritare dhe separatistët pro rusë i janë rikthyer armëve.Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Indian, Narendra Modi, Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë trupa në lindje të Ukrainës, por do të shqyrtojnë mundësinë e sanksioneve shtesë për të rritur presionin ndaj Moskës."Përfshirja në një konflikt të armatosur me Rusinë për këtë çështje nuk do të kishte efektin e duhur, por ne mund të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën në përpjekjet e saj për të vënën nën kontroll territorin e vet dhe këtu përfshihet vendosja e sanksioneve të reja, si dhe izolim diplomatik më të madh se sa është bërë deri më tani".Presidenti amerikan tha gjithashtu se mes Uashingtonit dhe Nju Delhit janë bërë përparime në dy çështje të rëndësishme në lidhje me bashkëpunimin bërthamor, që në të shkuarën ka qenë pikë përplasjeje mes dy vendeve.Ndërsa kryeministri Indian, Narendra Modi, tha se marrëveshje për ndryshimet klimaterike e nënshkruar mes SHBA-së dhe Kinës nuk vendos nën presion Indinë, por ngrohja globale ishte rreziku ndaj të cilit të gjithë duhet të vepronin.Palët nënshkruan marrëveshje mbi ndryshimet klimaterike, energjinë e rinovueshme si dhe bashkëpunimin ushtarak.Obama u prit në nju Delhi me nderime të mëdha, ndërsa Modi duke thyer protokollin e përqafoi Presidentin amerikan, një sinjal ky që tregon për synimet e dy vendeve për të çuar në nivel tjetër marrëdhëniet. Gjatë paradites, Obama vizitoi edhe memorialin e liderit të pavarësisë indiane, Mahatma Gandi.Obama pritet të marrë pjesë të hënën në Paradën e Ditës së Republikës, edhe pse historikisht kjo paradë është konsideruar si shfaqje e anti-amerikanizmit.Rreth 40 000 forca sigurie janë mobilizuar në vend për mbarëvajtjen e vizitës së Obamës, ndërsa 15 000 kamera janë instaluar në Nju Delhi për të monitoruar çdo lëvizje.Megjithatë, për arsye sigurie, duket se Presidenti amerikan, i cili shoqërohet në këtë vizitë nga bashkëshortja Mishel Obama, nuk do ta vizitojë Taxh Mahalin.