Dhunimi i nxënësit, prindërit: Mësueses i kërkuam ta qortojë, jo ta godasë
Familjarët e 12-vjeçarit që shfaqet në një video teksa dhunohet nga mësuesja e matematikës, mohojnë të jenë pro rrahjes së fëmijës së tyre. Jashtë kamerave, nëna e E.Cubit rrëfen se ka kërkuar që mësuesja ta qortojë fëmijën kur bën gabime, por jo ta godasë. Ndaj mësueses së matematikës është marrë masa e pezullimit, deri në sqarimin e rrethaneve të ngjarjes.Malësi e Madhe- Familjarët e 12-vjeçarit E.Cubi që shfaqet në nëj video e publikuar në rrjetet sociale duke u goditur nga mësuesja e matematikës në shkollën 9-vjeçare "Prekë Gjoni" në Bajzë, thonë se nuk janë dakord me dhunën e ushtruar ndaj të miturit. Nëna e 12-vjeçarit jashtë kamerave rrëfen se në asnjë rast nuk ka dashur që fëmija të dhunohet."Si çdo prind kemi kërkuar që mësuesja ta qortojë djalin kur bën gabime, por jo ta godasë. Goditja ka ardhur pasi ai ka bërë zhurmë dhe jo sepse ka përdorur fjalor të papërshtatshëm. Padi ndaj mësueses nuk kemi ngritur, por dëshirojmë që ajo të mos kthehet më në shkollën tonë, prandaj fare mirë mund të transferohet”.Me këto fjalë mbyllet biseda brenda portës së shtëpisë Cubi, larg objektivit të kameras ndërsa ne marrim rrugën në shkollën "Prekë Gjoni", drejt klasës së 7-të ku ndodhi gjithça.Drejtori, Gasper Deda, edhe pse e diel, hap dyert e kësaj shkolle duke sqaruar sesi është informuar për videon dhe vendimin e marrë për pezullimin e mësueses.Të hënën pasdreke pritet të merret vendimi final për mësuesen nga Bordi drejtues i shkollës dhe Këshilli i etikës.Suela Pirani, mësuesja e matematikës, prej 13 vitesh jepte mësim ne rrethin e Malësisë së Madhe dhe nuk ishte raportuar më parë për probleme të ngjashme me nxënësit.Ja videoja ku mësuesja rreh nxënësin në klasë