Egjipt, dy të vrarë në përkujtimin e kryengritjes ndaj Mubarakut

Dy persona kanë vdekur në Egjipt, ndërsa dy policë kanë mbetur të plagosur nga një bombë e shpërthyer në ditën e përvjetorit të kryengritjes së vitit 2011 që rrëzoi edhe diktatorin Hosni Mubarak nga pushteti.Përvjetori i rrëzimit të Mubarakut shërbeu edhe si një test nëse forcat islamike dhe liberale do të jenë në gjendje që të sfidojnë Qeverinë e dalë nga ushtria, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Forcat e sigurisë kanë shtypur çdo lëvizje disidente në Egjipt që kur ish-gjenerali Abdel Fatah Al-Sisi rrëzoi nga pushteti presidentin Mohamed Mursi të Vllazërisë Muslimane në korrik 2013, pas protestave masive ndaj sundimit të tij.Në përvjetorin e vitit të kaluar, dhjetra vetë mbetën të vrarë, ndërsa këtë vit ishin marrë masa më të larta sigurie që të mos përsëriteshin të njëjtat skena.Dy viktimat e këtij viti, një në Aleksandri dhe një në Kajro, ishin të dy të armatosur sipas Ministrisë së Brendshme.Edhe pse Al-Sisi pretendon se qeveria e tij është e përkushtuar ndaj demokracisë, grupime të ndryshme të të drejtave të njeriut thonë se ai po rivendos rendin autoritar në Egjipt, një vend që mbetet aleat strategjik i Shteteve të Bashkuara dhe me mjaft ndikim në gjithë botën arabe.