Kosovë, seancë solemne me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës
Me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë, në Kuvendin e Kosovës është mbajtur një seancë solemne.Në këtë seancë ishin të pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami etj.Seancën solemne e ka hapur kryetari I Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Në fjalën e tij Krasniqi ndër të tjera u shpreh: Kosova më 17 Shkurt 2008, u shpall shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Pavarësia e Kosovës, është një ngjarje historike, në këto vite shteti i Kosovës ka ecur shumë drejt demokracisë. Përpara nesh është një betejë e madhe, ajo e zhvillimit ekonomik të shtetit të Kosovës. Demokracinë ne e kemi kuptuar si realizim të lirisë për të gjithë, prandaj presim që edhe vendet e tjera ta njohin pavarësinë e Kosovës.”Më pas fjalën përshëndetëse në kuvend e ka marrë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila tha:“5 vjet më parë të zgjedhurit e popullit kanë shpallur Pavarësinë e Kosovës, prej këtij momenti ka nisur një kapitull i ri i shtetit të Kosovës. Kosova është një vend i begatë për të cilin brezat e ardhshëm do të jenë krenarë. Në këtë 5-vjetor, Kosova ka ngritur institucionet e saj kombëtare. Konsolidimi i shtetit është thelbi i punës që ne kemi bërë prandaj për këtë arsye proçeset në Kosovë janë të pakthyeshme. Ligjshmëria e Pavarësisë së Kosovës është e vulosur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në këtë 5-vjetor, ne kemi shumë arsye për të festuar por edhe shumë punë për të bërë. Kosova është një shtet që po i vendos bazat e demokracisë duke i kaluar dalëngadalë problemet e tranzicionit. Bashkimi Europian është synimi ynë dhe rruga drejt tij është e pandalshme dhe e pamohueshme. Ne kemi dëshmuar se jemi faktor të paqes dhe të stabilitetit në rajon, zgjidhjet tona ne i kemi kërkuar vetëm përmes dialogut, sepse ne respektojmë integritetin e secilit shtet.”Kuvendin e Kosovës e ka përshëndetur gjithashtu dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, I cili ka midish të tjersh ka falenderuar të gjithë miqtë e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe vendet e Bashkimit Europian. Thaçi gjithashtu falenderoi me nderi, të gjithë qytetarët që kanë kontribuar për pavarësinë e Kosovës.