Zgjedhjet në Maqedoni, sot skadon afati për dorëzimin e listave

Në Maqedoni sot në mesnatë skadon afati për dorëzimin e listave për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 24 marsit.Sipas Kodit zgjedhor dhe vendimit të kryetarit të Parlamentit, Trajko Veljanovski, të shtunën në mesnatë skandon afati për dorëzimin e listave, ndërsa deri tani opozita maqedonase nuk ka dorëzuar asnjë listë kandidatësh, për shkak të paralajmërimit për bojkotimin e zgjedhjeve dhe mosgjetjes së zgjidhjes për tejkalimin e krizës politike me partinë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE.Mediat proqeveritare dhe burime pranë qarqeve diplomatike kanë theksuar se ekziston mundësia për të shtyrë këtë afat, në rast se do të arrihet ndonjë marrëveshje midis pozitës dhe opozitës maqedonase.Listat për kandidatë për këshillat komunale dhe listat për kandidatë për komunat, përfaqësuesit e autorizuar të partive i dorëzojnë pranë Komisioneve Zgjedhore Komunale.Deri tani pjesëmarrjen në zgjedhje e kanë konfirmuar partitë e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI, partitë opozitare shqiptare PDSH dhe RDK si dhe 29 kandidatë të pavarur si dhe 95 lista të pavarura për këshilltarë.Zgjedhjet lokale janë caktuar për 24 mars, ndërsa opozita doli me një kërkesë që ato të shtyhen për një muaj dhe të mbahen më 28 prill, me kërkesën shtesë që në rast të fitores së opozitës pas gjashtë muajve të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.