Rohan: Të përjashtohen ndarja dhe autonomia rajonale
Në pesë-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, bashkë-hartuesi i Planit të Ahtisaarit, Albert Rohan, ka theksuar se si shtet i ri që është, Kosova ka bërë përparime pozitive.Megjithatë, ai tërheq vërejtjen që, në kuadër të negociatave të tashme, të mos bëhen lëshime për veriun, duke thënë se duhet përjashtuar plotësisht, si ndarja, ashtu edhe autonomia rajonale e komunave serbe. Rohan, që thotë se ka lidhje të veçanta me Kosovën, që nga vitet ‘90, porosit kosovarët të qëndrojnë unikë në çuarjen e shtetit përpara.“Pikë së pari kur të analizohet situata në Kosovë duhet pasur parasysh se është një shtet shumë i ri, vetëm pesë vjeç. Në këto pesë vjet është arritur mjaft, si në aspektin e njohjeve, ashtu edhe në atë të ndërtimit të institucioneve, sistemit legal, të gjitha këto janë mjaft pozitive”, ka thënë Rohan.