Përfundimtare, opozita maqedonase bojkoton zgjedhjet
Në Maqedoni në mesnatë skadoi afati për dorëzimin e listave për konkurrim në zgjedhjet lokale të 24 marsit.Sipas Kodit zgjedhor të shtunën në mesnatë skadoi afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetar komunash dhe këshilltarë komunal, ndërsa opozita maqedonase nuk dorëzoi asnjë listë kandidatësh, duke qëndruar pas vendimit të saj për bojkotimin e zgjedhjeve, pas mosgjetjes së zgjidhjes për tejkalimin e krizës politike me partinë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE.Listat për kandidatë për këshillat komunale dhe listat për kandidatë për komunat, përfaqësuesit e autorizuar të partive i dorëzuan pranë Komisioneve Zgjedhore Komunale, por këtë kanë bërë vetëm partitë e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI, partitë shqiptare të opozitës PDSH dhe RDK si dhe 29 kandidatë të pavarur si dhe 95 lista të pavarura për këshilltarë.Zgjedhjet lokale janë caktuar për 24 mars, derisa opozita doli me një kërkesë që ato të prolongohen për një muaj dhe të mbahen më 28 prill, me kërkesën shtesë që në rast të fitores së opozitës pas gjashtë muajve të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Bojkoti i zgjedhjeve nga opozita maqedonase ka shkaktuar huti dhe shqetësime tek opinioni në Maqedoni, por edhe faktori ndërkombëtarë.Zgjedhjet do të bojkotohen nga koalicioni i partive të opozitës maqedonase “Aleanca e Ardhmërisë”, ku bëjnë pjesë partia Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Partia Liberal – Demokrate, Partia Liberale, Të Bashkuar për Maqedoninë, Partia e Lëvizjes së Turqve, Partia VMRO – Partia Popullore. Mospjesëmarrjen në zgjedhjet e 24 marsit e kanë konfirmuar edhe kryetarët e deritanishëm të komunave të Kumanovës, Strumicës dhe Ohrit, por edhe komunave tjera që udhëhiqeshin nga opozita maqedonase, që u rikandiduan për mandate të reja. I vetmi kandidat nga opozita që ka refuzuar bojkotin në orët e fundit ka qenë kryetari i komunës së Karposhit të Shkupit, Stevçe Jakimovski, i cili do të garojë në zgjedhje, si kandidat i Partisë Serbe të Maqedonisë.