A do ta njohë Athina Kosovën? Ambasadorja greke: S'përjashtojmë mundësinë
"Ne nuk e kemi njohur Pavarësinë e Kosovës, por kemi thënë që nuk e përjashtojmë mundësinë që ta njohim. Kjo është pikë që duhet ta kemi si referencë. Në mesin e pesë vendeve anëtare të BE-së, ne jemi më fleksibil".Kështu u shpreh shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadorja Konstantina Athanassiadou."Unë nuk hezitoj të them që ne, ofrojmë ndihmë teknike për çdo gjë që nevojitet. Fjalët që janë përdorur dhe po përdoren në marrëveshje e dhe kompromise sa i përket vendimeve të organizmave ndërkombëtarë janë kontribut i Greqisë. Ne nuk i përfaqësojmë pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, por ndihmojmë në gjetjen e kompromiseve", theksoi ambasadorja greke, Konstantina Athanassiadou.Lidhur me atë se çfarë e pengon Greqinë që ta njohë Kosovë, diplomatja greke theksoi se "ne nuk flasim për pengesën, ne flasim për rrugën që do ta ndjekim. Në një moment të duhur do të marrim vendimin e duhur. Kjo është një çështje që kërkon një momentum të duhur politik".Janë shumë faktorë që kanë të bëjnë me këtë punë, situata e brendshme politike, rajoni, konstituimi i Qeverisë, e shumë faktorë të tjerë që imponojnë një proces që nuk është shumë i thjeshtë. Kemi një qark të mbyllur në politikën greke, është një çështje që unë do ta diskutoj me qeverinë e ardhshme greke", u tha studentëve të një universiteti privat në Prishtinë ambasadorja Konstantina Athanassiadou.