Kritika Perëndimit, Erdogan paralajmëron ”përplasje të qytetërimeve”

Tepër kritik me mënyrën se si po zhvillohen ngjarjet në Europë pas sulmeve tragjike të javës së kaluar në Paris, Presidenti turk kritikon sërish Europën dhe pranon se është i shqetësuar për myslimanët atje.Turqi- Shumë shpejt mund të përballemi me "përplasjen e qytetërimeve". Alarmin e ngre Presidenti turk, Rexhep Erdogan, pas ngjarjeve të fundit të Europë dhe pasojat që mund t'i ndjekin.Erdogan, i cili është besimtar praktikant mysliman sunit, akuzoi edhe më parë Perëndimin për hipokrizi pas sulmeve në Paris.Ai kritikoi gjithashtu autoritetet franceze për paaftësi për të kontrolluar qytetarët e vet, pasi një prej të dyshuarve si bashkëpunëtore në krimet e javës së kaluar është larguar në Siri nga Turqia.Gjatë një takimi me biznesmenë të ndryshëm në Ankara, në përpjekje për të marrë rolin e mbrojtësit të myslimanëve, ai tha se revista satirike "Charlie Hebdo" ishte e njohur për publikimet provokative dhe pranoi se ishte i shqetësuar për reagimin dhe kundërsulmet që mund të pasonin ndaj myslimanëve në Europë."Po ndjekim me shqetësim të madh valën e urrejtjes së përhapur ndaj gjithë myslimanëve, vetë islamit dhe profetit tonë të dashur, të fshehur pas sulmeve ndaj revistës satirike në Francë. Pavarësisht gjithë përpjekjeve tona për ta ndaluar, duket se përplasja e qytetërimeve po vihet në jetë"."Charlie Hebdo" ka publikuar shumë karikatura që tallen me figurat fetare, si Jezu Krishti, Papa Françesku dhe profeti Muhamed.Në botimin e parë pas sulmeve, të mërkurën e kaluar, në faqe të parë ishte vendosur pikërisht profeti më i rëndësishëm i fesë islame, i pikturuar duke qarë dhe duke mbajtur parrullën "Unë jam Charlie" në dorë.Për Erdoganin vendimi për të printuar miliona kopje nuk ka të bëjë me lirinë e fjalës, por me terrorizimin e lirive të të tjerëve. Karikaturat u botuan edhe në turqisht, nga gazeta "Cumhuriyet".Për këtë arsye, ndaj një prej redaktorëve të gazetës kanë nisur procedim penal. Vetë redaktori, Hikmet Xhetinkaja, ka thënë se ka marrë kërcënime të shumta dhe mesazhe në të cilët thuhej se vrasja e gazetarëve të "Charlie Hebdo" ishte e nevojshme.