Gjermania në alarm, stacionet e trenave të blinduar nga policia
Gjermania është vënë në alarm pasi ka marrë informata se stacionet hekurudhore në vend mund të jenë shënjestër për sulme terroriste.Paralajmërimet janë marrë një ditë pasi policia gjermane kreu disa operacione për neutralizimin e celulave terroriste në vend.Në shënjestër të terroristëve mendohet se janë edhe pjestarët e grupimit PEGIDA të cilët prej disa muajsh kanë kryer marshime kundër myslimanëve dhe emigrantëve në Gjermani.Megjithatë, udhëtarët në stacionin kryesor të Berlinit nuk dukeshin të shqetësuar nga prania e madhe e forcave të sigurisë."Po vazhdoj jetën si më parë. Por nuk mund të ndihem e sigurt nëse ka individë që mund të bëjnë vepra të tilla", thotë Lote Hartman."Jo, nuk kam frikë. Nëse na kap frika, atëherë fitojnë ata. Ne duhet të vazhdojmë jetën si më parë dhe nuk e kam problem policinë", thotë Frank Pivecki.Vendet e Europës janë në gatishmëri të plotë për të parandaluar sulme të ngjashme me ato që ndodhën në Francë javën e kaluar.Ministria e Brendshme gjermane nuk pranoi të konfirmonte ndonjë kërcënim konkret të marrë, por theksoi se autoritetet po merrnin shumë informata, ndërsa gazeta "Der Spiegel" shkruan se agjencitë e shërbimeve të sigurisë kanë kapur mesazhe të grupimeve xhihadiste.