Papa i jep shenjtorin e parë Sri Lankës: Shembull i tolerancës fetare
Papa Françesku i dha Sri Lankës shenjtorin e parë të mërkurën, në një meshë ku morën pjesë qindra-mijëra banorë në Kolombo.Gjatë ceremonisë Papa u tha të pranishmëve se misionari Zhozev Vaz, i cili u shpall shenjtor, ishte shembull i tolerancës fetare aq të rëndësishme për Sri Lankën.Vaz, i lindur në një koloni portugeze në Goa të Indisë më 1651, në moshën 36 vjeçare, i veshur si punëtor krahu dhe i varfër, kishte udhëtuar në jug në një vend të njohur asokohe si Cejlon, pasi kishte dëgjuar se katolikët po persekutohen nga hollandezët.Ai ishte lumturuar 20 vjet më parë nga Papa Gjon Pali II, i cili ishte dhe Papa i fundit që kishte vizituar Sri Lankën. Para turmës, Papa bëri thirrje për pajtim dhe bashkim."Liria fetare është një e drejtë thelbësore njerëzore. Çdo individ duhet të jetë i lirë, i vetëm apo me të tjerët, që të kërkojë të vërtetën dhe t'i shprehi hapur bindjet e tij fetare, i çliruar nga kërcënimet apo presionet e jashtme".Në Sri Lanka, rreth 70 për qind të popullsisë e përbëjnë budistët, 13 për qind hindu, 10 për qind myslimanë dhe 7 për qind katolikët.Si pjesë e turit aziatik, më 15 janar, Papa Françesku do të udhëtojë për në Filipine, ku përgatitjet kanë nisur prej disa ditësh tashmë.