Mosarrestimi i Shullazit, Adrian Çipa ia kalon fajin akuzës
“Ngjarjet e mbrëmjes së të hënës që tronditën kryeqytetin nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën”.
Kjo ka qenë deklarata e dhënë për median nga vetë drejtori i Policise se Tiranës, Ardian Çipa, i cili mohoi spekulimet se ngjarja me një të vdekur dhe tre të plagosur në rrugën e “Kavajës “ të ketë lidhje me atentatin ndaj Emiljano Shullazit në afërsi të Qafës së Kasharit
. “Nga hetimet paraprake rezulton se të dyja ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.Policia ka ngritur grupe hetimore të drejtuara nga prokurorët duke filluar që me veprimet e para në vendngjarje e çdo veprim tjetër, që po bëhet për mbledhjen e provave dhe fakteve për zbardhjen e plotë dhe vënien e autoreve para përgjegjësisë penale. Deri tani, për zbardhjen e rrethanave të të dy ngjarjeve, motiveve dhe autorëve të tyre janë shoqëruar në polici 32 shtetas”.
I pyetur nga gazetarët se përse nuk është arrestuar Emiljano Shullazi si i përfshirë në ngjarjen e dy ditëve më parë, kreu i policisë së Tiranës ia delegoi përgjegjësinë organit të akuzës. “ Grupi hetimor i kryesuar nga prokurori referuar terësisë së provave materiale të gjetura në vendngjarje nuk e ka parë të arsyeshme të proçedojë me arrestimin në flagrancë të këtij shetasi, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë dhe në vijim Prokuroria do të vendosë për ecurinë e mëtejshme të hetimit”.
Lidhur me arrestimin e efektitit të Policisë Roland Meta, Çipa u shpreh se kanë ndryshuar rrethanat e arrestimit, nga flagrancë, në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është arritur të saktësohet se rreth orës 19.40, viktima, shtetasi Arjanit Alias ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasit Pajtim Serjani, Roland Meta dhe dy shtetas të tjerë. Pasi ka plagosur me armë shtetasin Serjani, punonjësi i policisë ka reaguar duke i bërë thirrje: Ndal Policia. Në këtë moment vrasësi ka reaguar duke plagosur punonjësin e policisë, i cili edhe në këto kushte i është përgjigjur me shkëmbim zjarri, duke e plagosur rëndë. Shtetasi Arjanit Alias është përpjekur të largohet dhe rreth 1 km më larg ka mbetur i vdekur. Grupi hetimor nën kryesimin e prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Roland Meta për veprën penale “Vrasje, në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.
Në fund të daljes së tij para medias, kryepolici i bëri thirrje PD të mos spekulojë po të lërë policinë të bëjë punën e saj. Të njëjtin mendim me Çipën ndau dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili i cilësoi akuzat e opozitës si të pavërteta.
Deklarata e plotë e drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, Ardian Çipa